OKTA, MPB dhe KRSHTR me fushatë të re për siguri në trafik

Advertisement

OKTA, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Këshillin Republikan për Siguri në Trafikun Rrugor, nis më 29 tetor fushatën e re për rritjen e sigurisë në komunikacion.

Me moton “Kujdesu që të mbërrish, që të mbërrijmë të gjithë”, fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë personale të të gjithë pjesëmarrësve në trafik, duke vënë theksin te kujdesi, vëmendja dhe mbrojtja e jetës.

Përmes platformës edukative “Unë kujdesem”, OKTA synon t’i nxisë qytetarët të reflektojnë mbi rreziqet që mund të mos i vërejnë gjatë drejtimit të automjetit, kalimit të rrugës apo lëvizjes me biçikletë, motoçikletë dhe trotinet.

Një nga mesazhet kryesore të fushatës është rreziku nga shpërqendrimi, veçanërisht përdorimi i telefonit celular gjatë pjesëmarrjes në trafik.

Drejtori ekzekutiv i OKTA-s, Dimitrios Pashos, theksoi se përgjegjësia dhe kujdesi ndaj të tjerëve janë thelbësore për krijimin e një mjedisi më të sigurt rrugor. Sipas tij, qëllimi nuk është vetëm që secili të arrijë i sigurt në destinacionin e vet, por që të gjithë të mbërrijnë të sigurt.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, nënvizoi rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut dhe shmangies së faktorëve që shpërqendrojnë shoferët. Ai bëri thirrje për vëmendje të vazhdueshme gjatë drejtimit të automjetit, kontroll të pasqyrave dhe këndeve të vdekura, si dhe për sjellje të përgjegjshme nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Fushata do të fokusohet gjithashtu te dukshmëria dhe vlerësimi i drejtë i rreziqeve, me theks të veçantë te këmbësorët, çiklistët dhe përdoruesit e trotinetëve, të cilët janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve në komunikacion.

Kryetari i Këshillit Republikan për Siguri në Trafikun Rrugor, Goran Angelovski, theksoi se siguria kërkon vëmendje të vazhdueshme dhe se pjesëmarrësit nuk duhet të mbështeten te supozimi se të tjerët i kanë vërejtur, por duhet të sigurohen për këtë.

OKTA e nisi platformën kombëtare “Unë kujdesem” në vitin 2017, me qëllim të promovimit të shprehive më të sigurta në trafik. Gjatë viteve, përmes aktiviteteve edukative dhe iniciativave të ndryshme, kompania ka mbështetur sigurinë e fëmijëve, këmbësorëve dhe kategorive të tjera të cenueshme të pjesëmarrësve në komunikacion.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit