Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se mbështet hapjen e një miniere të antimonit në zonën e Kriva Pallankës, konkretisht në fshatin Luke, në lokalitetin Krstov Dol. Sipas tij, të njëjtin qëndrim e ndan edhe kryetari i kësaj komune, i cili vjen nga radhët e LSDM-së.
Deklaratën, Mickoski e bëri gjatë seancës parlamentare për pyetje të deputetëve, ku foli edhe për çështje të tjera që lidhen me projektet minerare në vend.
„Për minierën e antimonit në Luke, në Kriva Pallankë, jam pro. Edhe kryetari juaj i komunës ka të njëjtin qëndrim si unë“, tha Mickoski, duke kritikuar udhëheqjen e LSDM-së për qëndrimin e saj ndaj këtij projekti.
Kryeministri u ndal edhe te rasti i minierës Kazandoll, duke deklaruar se shteti e ka fituar kontestin e arbitrazhit të nisur nga kompania ukrainase që kishte koncesionin. Sipas Mickoskit, kompania duhet t’i mbulojë shpenzimet e procedurës, ndërsa buxheti i shtetit nuk do të ketë detyrime financiare nga ky kontest.
Ai pretendoi gjithashtu se gjatë qeverisjes së mëparshme ishte diskutuar mundësia e një marrëveshjeje prej 20 deri në 30 milionë dollarësh për zgjidhjen e kontestit, por shtoi se nuk mund ta konfirmonte vërtetësinë e këtyre pretendimeve.
Në fjalimin e tij, Mickoski foli edhe për projektin minerar në Illovicë dhe Shtukë, duke akuzuar qeveritë e mëparshme për vendime kontradiktore lidhur me bashkimin e dy zonave koncesionare.
Sipas tij, Gjykata e Lartë Administrative ka shfuqizuar vendimin për anulimin e bashkimit të zonave koncesionare. Mickoski theksoi se për vazhdimin e procedurave nevojitet një zgjidhje ligjore dhe se Qeveria nuk do të ndërmarrë veprime që bien ndesh me interesat e qytetarëve.
Në fund, kryeministri kritikoi edhe politikat e mëparshme për çështje që lidhen me interesat shtetërore, duke deklaruar se Qeveria aktuale synon të rikthejë atë që, sipas tij, është humbur nga vendimet e mëparshme.








