Sot, më 29 tetor, shënohet Dita Botërore e Goditjes në Tru, me qëllim ndërgjegjësimin për simptomat, parandalimin dhe rëndësinë e trajtimit të menjëhershëm.
Goditja në tru është një gjendje serioze mjekësore, ku reagimi i shpejtë mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes, si dhe të zvogëlojë rrezikun e pasojave të përhershme.
Shenjat kryesore paralajmëruese përfshijnë varjen e njërës anë të fytyrës, dobësinë ose mpirjen e papritur të krahut dhe vështirësitë në të folur. Në rast të shfaqjes së këtyre simptomave, është e domosdoshme të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e njohjes së hershme të simptomave, kontrollit të tensionit të gjakut dhe menaxhimit të faktorëve të rrezikut, përfshirë diabetin, kolesterolin e lartë, duhanpirjen dhe mungesën e aktivitetit fizik.
Mesazhi kryesor i kësaj dite është i qartë: mos i neglizhoni simptomat, sepse çdo minutë ka rëndësi.








