Sot u zyrtarizua themelimi i Shoqatës Vullnetare të Zjarrfikësve “Feniks” në Haraçinë, ndërsa në krye të saj u zgjodh z. Irfan Shabani.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, i cili theksoi rëndësinë e këtij organizimi për forcimin e kapaciteteve vullnetare dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve.
Themelimi i kësaj shoqate përbën një hap të rëndësishëm drejt organizimit më të mirë dhe reagimit më të shpejtë në raste emergjente, duke kontribuar në mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve të Haraçinës.
“Feniks” vjen si simbol i guximit, solidaritetit dhe gatishmërisë për të ndihmuar në momentet kur qytetarët kanë më së shumti nevojë.
Me këtë rast, pritet që angazhimi vullnetar dhe bashkëpunimi në komunitet të luajnë një rol të rëndësishëm në përballimin e situatave emergjente dhe në forcimin e ndjenjës së sigurisë te qytetarët e Haraçinës.








