Komuna e Çairit organizoi sonte, në ambientet e Muzeut të Arteve Bashkëkohore në Shkup, një mbrëmje të veçantë kushtuar Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Në këtë aktivitet, ku arti dhe mjekësia u bashkuan për të përcjellë mesazhe ndërgjegjësimi dhe solidariteti, morën pjesë mjekë specialistë dhe artistë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Përmes diskutimeve profesionale dhe një programi artistik, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e kujdesit për shëndetin e grave, kontrolleve të rregullta mjekësore dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes për gratë që përballen me këtë sëmundje, duke përcjellë mesazhin se ato nuk janë vetëm në këtë betejë dhe se solidariteti shoqëror luan rol të rëndësishëm në përballimin e sfidave.
Komuna e Çairit shprehu mirënjohje për mjekët, artistët dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në realizimin e kësaj nisme sensibilizuese.
Mesazhi i përcjellë nga kjo mbrëmje ishte se, ndonëse Tetori Rozë shënon një muaj të veçantë të ndërgjegjësimit, kujdesi për shëndetin e grave, mbështetja dhe solidariteti duhet të jenë pjesë e përgjegjësisë së përditshme gjatë gjithë vitit.








