Transportuesit e Maqedonisl prej 11 muajsh po përballen me kufizime në zonën Schengen. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, kërkon mbështetjen e Gjermanisë për arritjen e marrëveshjeve dypalëshe që do t’u lehtësonin punën shoferëve profesionistë.
Në një takim të organizuar nga Shoqata Ekonomike Maqedono-Gjermane në Shkup, Nikoloski u bëri thirrje përfaqësuesve të komunitetit të biznesit që të angazhohen së bashku për heqjen sa më të shpejtë të pengesave që lidhen me vizat dhe qëndrimin e shoferëve në vendet e zonës Schengen.
Sipas Nikoloskit, transportuesit maqedonas prej gati një viti po përballen me pasoja serioze nga zbatimi i sistemit të ri të hyrje-daljeve, pasi në shumicën e vendeve të zonës Schengen vazhdojnë të trajtohen si turistë.
“Po hyjmë në muajin e 11-të që transportuesit tanë kanë probleme serioze me sistemin e ri të hyrje-daljeve. Ende në shumicën e vendeve anëtare të zonës Schengen, përfshirë edhe Gjermaninë, ata trajtohen si turistë dhe nuk mund të qëndrojnë më shumë se 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh”, deklaroi Nikoloski.
Ai rikujtoi se Komisioni Evropian në shkurt prezantoi një strategji të re për vizat, në të cilën shoferët profesionistë njihen si kategori e veçantë, ngjashëm me pilotët dhe makinistët e trenave. Megjithatë, sipas tij, deri më tani nuk është shënuar përparim i mjaftueshëm në zbatimin e kësaj strategjie në nivel të zonës Schengen.
Nikoloski shpreson që Gjermania dhe vendet e tjera të Schengenit të ndjekin shembullin e Zvicrës dhe Kroacisë, duke arritur marrëveshje dypalëshe që do t’u mundësonin transportuesve maqedonas të punojnë me më pak kufizime.








