Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se aplikacioni mobil m.Uslugi synon të thjeshtojë procedurat administrative, të zvogëlojë nevojën për dokumente në letër dhe t’u mundësojë qytetarëve qasje më të lehtë në shërbimet publike.
Duke folur për prezantimin e aplikacionit, Mickoski tha se synimi është që qytetarët të mos detyrohen të marrin pushim nga puna për të siguruar një dokument, të presin në sportele apo të bartin dokumente nga një institucion në tjetrin.
“Me aplikacionin mobil m.Uslugi, po bëjmë një hap konkret pikërisht në këtë drejtim”, deklaroi Mickoski.
Sipas tij, thelbi i transformimit digjital nuk qëndron vetëm në futjen e teknologjisë së re, por në thjeshtimin e procedurave, ndërlidhjen e sistemeve institucionale dhe eliminimin e hapave të panevojshëm administrativë.
Ai theksoi se kur institucionet tashmë posedojnë të dhëna që mund t’i shkëmbejnë ligjërisht, qytetarët nuk duhet të jenë ata që i transportojnë fizikisht dokumentet nga një institucion në tjetrin.
Mickoski vlerësoi se digjitalizimi ka edhe rëndësi ekonomike, pasi çdo vizitë e panevojshme në institucione, çdo dokument i kërkuar përsëri dhe çdo procedurë që zgjat më shumë se sa duhet krijon kosto shtesë për qytetarët dhe bizneset.
Pritet zgjerimi i shërbimeve
Kryeministri bëri të ditur se aplikacioni m.Uslugi është vetëm fillimi i një procesi më të gjerë dhe se në fazën e ardhshme pritet të shtohet numri i shërbimeve dhe dokumenteve që do të jenë të disponueshme përmes tij.
Ai theksoi se përgjegjësia për zhvillimin e këtij sistemi nuk duhet të mbetet vetëm te Ministria e Transformimit Digjital, por duhet të përfshijë të gjitha institucionet shtetërore.
Sipas Mickoskit, institucionet duhet të identifikojnë shërbimet që mund të ofrohen në mënyrë elektronike dhe procedurat që mund të thjeshtohen, në mënyrë që qytetarët të mos përballen me kërkesa të panevojshme administrative.
Ai shtoi se procedurat elektronike mund të kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, pasi mundësojnë ndjekjen e kohës së fillimit të një procedure, kohëzgjatjes dhe fazës në të cilën ndodhet.
Digjitalizimi dhe integrimi evropian
Mickoski foli edhe për rëndësinë e transformimit digjital në kuadër të reformave që vendi po zbaton në procesin e integrimit evropian.
Ai tha se një pjesë e konsiderueshme e obligimeve në këtë fushë janë përmbushur përmes miratimit të ligjeve, zhvillimit të infrastrukturës digjitale, përmirësimit të shërbimeve elektronike dhe ndërlidhjes së institucioneve.
Megjithatë, ai theksoi se digjitalizimi nuk duhet të krijojë forma të reja të përjashtimit, pasi jo të gjithë qytetarët kanë të njëjtat aftësi digjitale. Për këtë arsye, sipas tij, duhet të vazhdojnë të ofrohen edhe mbështetje dhe kanale alternative për personat që kanë nevojë për ndihmë.
Në fund, Mickoski tha se suksesi i aplikacionit nuk duhet të matet vetëm me numrin e shkarkimeve, por kryesisht me numrin e shërbimeve që qytetarët do të arrijnë t’i përfundojnë përmes tij dhe me kohën që do të kursejnë.
“Qëllimi praktik i transformimit digjital është një shtet më i organizuar, institucione më efikase dhe shërbime më të mira për qytetarët”, përfundoi Mickoski.








