Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka sekuestruar 470 kilogramë produkte mishi te një kasap në Komunën e Vasilevës, gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm të kryer javën e kaluar. Gjatë inspektimit, veterinerët zyrtarë zbuluan një dhomë frigoriferike në pronë private, e cila nuk ishte e regjistruar në Agjenci. Aty u gjetën dhe u sekuestruan 400 kilogramë produkte të ngrira të mishit, përfshirë qofte dhe qebapë, si dhe 70 kilogramë organe të brendshme.
E gjithë sasia e sekuestruar është shkatërruar në mënyrë të sigurt në deponi, në përputhje me procedurat ligjore. Për parregullsitë e konstatuara, autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e përkohshme të frigoriferit, ndërsa subjektit juridik i janë shqiptuar gjoba për punë në objekt të paregjistruar dhe për mosetiketim të produkteve.
Sipas AUV-së, nga janari deri në gusht të vitit 2026 janë kryer gjithsej 74.838 kontrolle inspektuese. Gjatë kësaj periudhe janë shkatërruar 69.776 kilogramë ushqime të pasigurta nga tregu vendor dhe importi, ndërsa është ndaluar importi i 21.105 kilogramëve ushqime të pasigurta me origjinë jo shtazore.
Gjithashtu, në vendet e origjinës janë kthyer dërgesa me gjithsej 122.602 kilogramë ushqime me origjinë shtazore.
AUV-ja njofton se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë vendin, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e shitjes së ushqimeve të pasigurta.











