rokuroria Themelore Publike e Velesit po zhvillon hetim ndaj një personi që dyshohet se ka mashtruar disa qytetarë duke u ofruar vaksina të supozuara “kubaneze” kundër kancerit, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm material.
Ndaj të dyshuarit është hapur procedurë për veprat penale mashtrim, sipas nenit 247, dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore (sharlatanizëm mjekësor), sipas nenit 209 të Kodit Penal.
Në kuadër të procedurës, Prokuroria ka siguruar urdhra për bastisje në disa lokacione. Gjatë kontrollit në vendin e punës së të dyshuarit në Veles janë gjetur prova që do t’i nënshtrohen ekspertizës së mëtejshme. Gjithashtu janë sekuestruar pajisje elektronike, ndërsa organet hetimore vazhdojnë verifikimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.
Sipas të dhënave të deritanishme të Prokurorisë, i dyshuari ka vënë në mashtrim disa persona duke u paraqitur në mënyrë të rreme se ofronte vaksina kundër kancerit nga Kuba.
Prokurori publik kompetent tashmë po merr në pyetje personat e dëmtuar, si dhe qytetarë të tjerë që mund të disponojnë informacione me rëndësi për zbardhjen e rastit.
Prokuroria ka kërkuar nga gjykata caktimin e masave të kujdesit ndaj të dyshuarit, përkatësisht konfiskimin e dokumentit të udhëtimit dhe detyrimin që të paraqitet rregullisht në gjykatë.
I dyshuari aktualisht ndodhet i shtruar në një institucion shëndetësor, ku i është dorëzuar vendimi për caktimin e këtyre masave.
Nga Prokuroria Publike njoftojnë se, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, vazhdojnë mbledhjen e provave dhe verifikimet lidhur me rastin, ndërsa ndërkohë po arrijnë informacione shtesë që mund të ndihmojnë në hetim. përcjell Zhurnal.mk .








