“S’janë studentë, por persona me precedentë penalë” -Rama publikon listën e të arrestuarve në protestë dhe lexon akuzat ndaj tyre
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një deklarate për mediat sot, ka publikuar listën e personave të arrestuar gjatë protestës, për të cilët pretendon se nuk janë studentë dhe nuk kanë lidhje me këtë kategori.
Përmes inicialeve dhe fotografive me sytë e mbuluar, Rama ka paraqitur emrat e personave të arrestuar, duke përmendur akuzat që rëndojnë ndaj tyre dhe precedentët e mëparshëm penalë.
Sipas Ramës, këta persona janë përdorur për të ushtruar dhunë gjatë protestës. Në precedentët penalë që ai lexoi, disa prej tyre rezultojnë të dënuar me burgim për vepra të rënda penale, përfshirë edhe vrasjen.
Gjatë deklaratës, kryeministri Rama u shpreh:
“Po i marr me radhë një për një dhe besoj që çdo koment është i tepërt nga ana ime, sepse mjaftojnë çehret që, pavarësisht fshehjes së identitetit, mund të lexohen si përfaqësi e një bote të zymtë, të errët dhe të jashtëligjshme, dhe karrierat e këtyre individëve që, e përsëris, janë paguar nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, që me çdolloj kushti duan ta kthejnë përmbys edhe njëherë Shqipërinë, ndërkohë që Shqipëria ka ngritur kokën dhe me dinjitet është vendosur në arenën ndërkombëtare si një kandidat i respektueshëm i familjes së Europës së bashkuar.
Këta nuk janë studentët. E kam thënë qysh në krye të herës, këta nuk janë studentët. Dhe tani është koha që, ditë pas dite, rast pas rasti, fjalia ‘këta nuk janë studentët’ të mbështetet nga fakte, të mbështetet nga dokumente”.
Lista e personave dhe precedentët e përmendur nga Rama
Kryeministri vijoi duke lexuar, një nga një, inicialet, moshat dhe veprat penale për të cilat, sipas tij, personat e arrestuar kanë precedentë ose janë dënuar më parë.
1. G.I., 57 vjeç: Sipas Ramës, është dënuar më parë për dhunë në familje dhe mosbindje ndaj urdhrit të policisë.
2. B.P., 41 vjeç: Rama përmendi prishjen e rendit dhe qetësisë publike, dhunën në familje ndaj vëllait dhe motrës, si dhe tentativën për të kryer marrëdhënie seksuale me të motrën.
3. A.B., 40 vjeç: Sipas kryeministrit, ka precedentë penalë për pjesëmarrje në protesta dhe tubime të paligjshme, si dhe për dhunë ndaj punonjësit të policisë gjatë organizimit të protestave të paligjshme.
4. E.K.: Rama përmendi vjedhjen, pjesëmarrjen në protesta dhe tubime të paligjshme, pengimin e qarkullimit dhe dëmtime të tjera me dashje, vepra për të cilat, sipas tij, personi është dënuar më parë.
5. S.X., 28 vjeç: Sipas Ramës, ka precedent penal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
6. E.V., 45 vjeç: Kryeministri përmendi vetëgjyqësinë, mashtrimin dhe fshehjen e të ardhurave. Ai tha se personi është i dyshuar edhe për marrje financimesh nga fondet e Republikës Khomeiniste të Iranit.
7. S.D., 45 vjeç: Rama përmendi precedentë penalë për goditje për shkak të detyrës, falsifikim dokumentesh dhe ndotje.
8. XH.P., 27 vjeç: Sipas kryeministrit, ka precedentë penalë për pjesëmarrje në protesta të paligjshme, pengim të qarkullimit dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
9. J.S., 20 vjeç: Rama deklaroi se personi nuk është student dhe përmendi prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike si precedent penal të regjistruar.
10. V.A., 36 vjeç: Sipas Ramës, është dënuar me 40 muaj burgim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në Britaninë e Madhe, si dhe me dy vjet e pesë muaj burgim për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore.
11. A.M., 28 vjeç: Kryeministri përmendi shkeljen e rregullave të qarkullimit, dëmtimin me dashje, mashtrimin dhe falsifikimin e dokumenteve.
12. A.F., 38 vjeç: Sipas Ramës, ka precedentë penalë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si dhe për vjedhje.
13. Z.M., 30 vjeç: Rama përmendi prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, për të cilat tha se personi është dënuar në Britaninë e Madhe, si dhe vjedhjen.
14. A.P., 17 vjeç: Kryeministri deklaroi se nuk është as nxënës dhe as student, duke përmendur precedent penal për dëmtime të tjera me dashje.
15. L.A., 24 vjeç: Sipas Ramës, ka precedentë për mashtrim, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe goditje për shkak të detyrës. Ai theksoi se personi nuk ka asnjë lidhje me universitetin.
16. A.B., 20 vjeç: Rama përmendi dëmtimet me dashje, shkatërrimin e pronës dhe prodhimin e shitjen e lëndëve narkotike, duke deklaruar se personi nuk ka lidhje me universitetin.
17. F.D., 32 vjeç: Sipas kryeministrit, ka precedentë për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, vjedhje, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si dhe dëmtime të tjera me dashje. Rama theksoi se nuk ka lidhje me universitetin.
18. L.M., 37 vjeç: Rama përmendi kundërshtimin e punonjësit të policisë dhe prodhimin e mbajtjen pa leje të armëve të ftohta, duke deklaruar se personi nuk ka lidhje me universitetin.
19. S.D., 24 vjeç: Sipas Ramës, ka precedentë për vjedhje dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
20. F.M., 25 vjeç: Kryeministri përmendi plagosjen e lehtë me dashje, prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve të ftohta, vjedhjen, si dhe një dënim me një vit e gjashtë muaj burgim për shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë. Rama e cilësoi atë si “një grabitës me dhunë”.
21. I.G., 36 vjeç: Rama përmendi një precedent penal për mbajtjen e një lokali për prostitucion.
22. K.K., 39 vjeç: Sipas kryeministrit, ka precedentë penalë për vjedhje dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
23. L.V., 24 vjeç: Rama deklaroi se personi nuk ka asnjë lidhje me universitetin dhe përmendi vjedhjen si precedent penal.
24. M.A., 32 vjeç: Kryeministri përmendi prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, si dhe tha se personi është i dyshuar për financime nga Republika Khomeiniste e Iranit.
25. I.D., 26 vjeç: Sipas Ramës, ka precedent penal për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, ndërsa nuk ka lidhje me universitetin.
26. K.B., 20 vjeç: Rama deklaroi se personi nuk ka lidhje me universitetin dhe përmendi dhunën në familje, prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve të ftohta.
27. R.B., 30 vjeç: Sipas kryeministrit, ka precedentë penalë për vjedhje dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
28. M.J., 28 vjeç: Rama përmendi kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik dhe deklaroi se personi nuk ka lidhje me universitetin.
29. N.L., 28 vjeç: Sipas Ramës, ka precedent penal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe nuk ka lidhje me universitetin.
30. G.P., 46 vjeç: Kryeministri përmendi goditjen për shkak të detyrës, kanosjen, shkatërrimin e pronës dhe prishjen e rendit e qetësisë publike.
31. E.N., 23 vjeç: Rama përmendi prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
32. D.H., 24 vjeç: Sipas kryeministrit, ka precedentë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si dhe dhunë në familje.
33. E.H., 19 vjeç: Rama përmendi prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
34. E.A., 37 vjeç: Kryeministri përmendi falsifikimin e dokumenteve, fshehjen e të ardhurave dhe shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e një personi. Rama përsëriti moshën e tij dhe pyeti: “Çfarë studenti është ky?”
35. E.B., 27 vjeç: Sipas Ramës, ka precedent penal dhe është deportuar nga Greqia për shkak të emigracionit të paligjshëm. Ai theksoi se personi nuk ka lidhje me universitetin.
36. D.C., 28 vjeç: Kryeministri përmendi drejtimin e mjetit në mënyrë të parregullt dhe deklaroi se personi nuk ka lidhje me universitetin.
37. K.Z., 22 vjeç: Rama përmendi prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, duke theksuar se personi nuk ka lidhje me universitetin.
38. E.LL., 42 vjeç: Sipas kryeministrit, ka precedentë për prishjen e qetësisë publike dhe kundërshtimin e punonjësit të policisë. Rama tha se personi nuk ka lidhje me universitetin dhe është i dyshuar edhe për financime nga Republika Khomeiniste e Iranit.
39. A.LL., 52 vjeç: Rama deklaroi se personi është dënuar me 23 vjet burgim për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Sipas tij, ai është liruar nga burgu më 14 shkurt 2022 dhe është shoqëruar disa herë në polici gjatë viteve 2022, 2024 dhe 2025 për konflikte dhe mosmarrëveshje. Kryeministri e cilësoi atë si “dhunues shembullor në protestën studentore në thonjëza”.
40. A.I., 33 vjeç: Sipas Ramës, ka precedentë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, kundërshtim të punonjësve të policisë, si dhe organizim e pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme.
41. O.B., 21 vjeç: Kryeministri përmendi mbajtjen pa leje të armëve të ftohta dhe dëmtime të tjera me dashje, duke deklaruar se personi nuk ka lidhje me universitetin.
42. D.L., 32 vjeç: Rama përmendi prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, duke theksuar se personi nuk ka lidhje me universitetin.
43. B.P., 39 vjeç: Sipas kryeministrit, ka precedent penal për falsifikimin e letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave. Rama tha se personi është i dyshuar edhe për financime nga Republika Khomeiniste e Iranit.
44. J.G., 26 vjeç: Rama përmendi precedent penal për prodhimin, mbajtjen, blerjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta.
45. A.B., 42 vjeç: Kryeministri përmendi precedentë penalë për pushtimin e tokës, organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishjen e qetësisë publike, si dhe dy raste të goditjes për shkak të detyrës. Rama deklaroi se personi nuk ka asnjë lidhje me universitetin.
Në përfundim të deklaratës, kryeministri Edi Rama kritikoi mënyrën se si, sipas tij, protesta është paraqitur në publik, duke akuzuar disa media, personazhe të njohur dhe individë të tjerë se e kanë heroizuar atë.
“Këta janë një pjesë e komponentit kriminal të një proteste e cila u heroizua nga ekranet e korruptuara, nga VIP-at dhe nga të gjithë ata që shtriqen në sallonet e mbrëmjes duke grabitur pensionet që paguhen me shuma të majme të padeklaruara dhe që në ndërkohë qajnë hallin e pensionistëve, qajnë hallin e studentëve, kërkojnë më shumë për popullin shqiptar, por përsëri e thashë kjo është një temë tjetër”, tha Rama.
Deklaratat dhe akuzat e mësipërme janë ato që kryeministri Edi Rama paraqiti gjatë komunikimit me mediat lidhur me personat e arrestuar në protestë.








