Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, së bashku me delegacionin qeveritar, mori pjesë sot në një drekë pune kushtuar të ardhmes së Procesit të Berlinit dhe rolit të të rinjve në formësimin e së ardhmes së Ballkanit Perëndimor.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal, shkëmbimit të ideve dhe krijimit të mundësive të reja për të rinjtë, si hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të një rajoni të qëndrueshëm dhe të prosperuar.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për rëndësinë e avancimit të integrimit evropian dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim krijimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët e rajonit.
Në këtë samit marrin pjesë edhe liderët e tjerë të rajonit, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeministrin e Serbisë, Gjuro Macut, si dhe kryesuesen e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krišto.
Në mesin e pjesëmarrësve janë gjithashtu kancelari gjerman Friedrich Merz, kancelari austriak Christian Stocker, kryeministri kroat Andrej Plenković, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare.
Samiti përqendrohet në forcimin e bashkëpunimit rajonal, avancimin e integrimit evropian dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta që synojnë lidhjen ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pjesëmarrja e liderëve rajonalë dhe partnerëve evropianë synon të nxisë dialogun politik, të forcojë besimin ndërmjet vendeve dhe të përshpejtojë procesin e afrimit të rajonit me Bashkimin Evropian.
Samiti shënon gjithashtu përmbylljen e kryesimit të Malit të Zi të Procesit të Berlinit për vitin 2026. Ora 24








