Pastrojini oxhaqet, shmangni rrezikun nga zjarret

Advertisement

Tetovë, 21 tetor – Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë ka lëshuar një apel drejtuar qytetarëve të Pollogut për kujdes maksimal me fillimin e sezonit të ngrohjes, periudhë kjo kur rreziku nga zjarret rritet ndjeshëm. Sipas Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, analizat tregojnë se pakujdesia njerëzore, instalimet elektrike të vjetruara dhe të amortizuara nëpër ndërtesa, oxhaqet e papastruara janë shkaktarët kryesorë të rasteve të zjarreve nëpër shtëpi dhe objekte banimi. Nga policia e Tetovës theksojnë se mjafton vetëm një shkëndijë e vogël që të shkaktohet zjarr me pasoja të rënda materiale dhe rrezik për jetën.

Për këtë arsye, qytetarëve u bëhet thirrje që në asnjë mënyrë të mos i lënë pajisjet e ngrohjes të ndezur kur nuk ndodhen në shtëpi apo në ambientet e punës për një kohë të gjatë, duke veçuar këtu ngrohëset elektrike, aparatet e kondicionimit e kështu me radhë. Gjithashtu, një problem mjaft serioz mbetet mbingarkesa e instalimeve elektrike.

Banorëve u rekomandohet të kenë kujdes dhe të mos ndezin disa pajisje elektrike me fuqi të madhe në të njëjtën kohë. Rreziku, sipas policisë, vjen në rritje veçanërisht nëpër ndërtesat e banimit kolektiv. Në këto objekte, lokalizimi i zjarreve shpesh vështirësohet për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme kundër zjarrit dhe qasjes së bllokuar për automjetet e zjarrfikësve, kryesisht si pasojë e problemeve ndërtimore apo parkimeve të gabuara në rrugë.

Për të parandaluar rreziqet, pronarëve dhe banorëve të ndërtesave u sugjerohet t’i kontrollojnë dhe t’i pastrojnë oxhaqet të paktën dy herë në vit. “Pronarëve dhe banorëve në ndërtesa u rekomandohet që t’i kontrollojnë dhe pastrojnë oxhaqet të paktën dy herë në vit, si dhe të mos i mbingarkojnë instalimet duke ndezur disa pajisje elektrike menjëherë. Kjo pasi, sipas nenit 288 të Kodit Penal, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm paraqet vepër penale për të cilën parashikohet dënim me burg prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet, kurse nëse është kryer nga pakujdesia, dënimi është deri në tre vjet”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Ndryshe, vitin e kaluar gjatë sezonit të dimrit dhjetëra zjarre janë shkaktuar në rajonin e Tetovës si pasojë e mos pastrimit të oxhaqeve, prandaj nga njësia e zjarrfikësve kërkojnë më shumë kujdes nga qytetarët në periudhën që vijon. “Duke pastruar oxhaqet do të mbrohen objektet dhe familjet nga paraqitja e zjarreve. Njëkohësisht të bëhet edhe kontrollimi i aparateve për ngrohje, për një siguri më të lartë nga paraqitja e zjarreve në periudhën e dimrit, të cilat mund të jenë edhe fatale për jetën e njeriut. Urojmë që këtë dimër ta kalojmë pa ndonjë paraqitje të zjarreve, pasi që tashmë dihet se zjarret lënë pasoja nga më të ndryshmet, andaj duam që qytetarët tanë të jenë më të sigurt dhe më të mbrojtur. Pastrimi i oxhaqeve është obligim i çdo qytetari, dhe e njëjta parashihet edhe me ligj, që pastrimi të bëhet në fillim të sezonit dimëror dhe në mbarim të të njëjtit”, thonë nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë.

Ndërkaq, Nga policia u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë këto udhëzime, me qëllim që të parandalojnë zjarre eventuale dhe me këtë të parandalojnë pasoja më të rënda për jetën dhe pronën e tyre, si dhe për jetën dhe pronën e të tjerëve. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit