Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në intervistën e mbrëmshme në emisionin „Klik Plus“ në TV21, deklaroi se formimi i Prokurorisë Speciale Publike (PSP) përbënte një goditje serioze ndaj drejtësisë, duke theksuar se që në fillim ishte ngritur mbi baza antikushtetuese. Sipas tij, në vend që të sillte drejtësi, PSP-ja „bënte estradë“.
„Ndjenja e qytetarëve buron nga, si të themi, ngjarjet që ndodhën në të kaluarën dhe që, mendoj, i dhanë një goditje të fortë drejtësisë në Maqedoni. E para është periudha 1994–1998, kur VMRO-DPMNE-ja ishte opozitë jashtëparlamentare dhe kur gjyqtarët zgjidheshin në Kuvend. Praktikisht, pushteti i atëhershëm, i cili kishte fuqi absolute, zgjodhi qindra gjyqtarë, disa prej të cilëve janë ende aktivë. Dhe kjo ishte një strukturë e ngjyrosur politikisht.
Goditja e dytë ndaj drejtësisë ishte kur u krijua ai implant, PSP-ja. Një implant krejtësisht antikushtetues, nga i cili, në vend të drejtësisë që duhej të sillnin, nuk pamë asgjë më shumë se estradë. Atëherë bëheshin stema, shtypeshin bluza, visheshin kapele dhe bluza me kapuç të PSP-së. Nuk mund të sillni drejtësi përmes padrejtësisë. Që në fillim, ai implant ishte i paligjshëm dhe antikushtetues. Nuk mund të veproni në atë mënyrë. Dhe për atë implant janë fajtore të gjitha partitë, sepse u miratua me konsensus. Tani nuk dua ta përjashtoj VMRO-DPMNE-në. Unë nuk e përjashtoj VMRO-DPMNE-në. Por ai implant krijoi një perceptim të tillë, i cili u forcua edhe më shumë kur ndodhi problemi i tretë. Pra, kur gjithçka përfundoi në një valixhe me para. Të gjitha këto janë procese që te qytetarët krijuan ndjenjën e mosbesimit ndaj drejtësisë“, deklaroi Mickoski.








