Gjykata Themelore Penale në Shkup e refuzoi kërkesën e mbrojtjes për kthimin e dokumentit të udhëtimit të A.G., të akuzuarit të dytë në rastin “Lotaria e Maqedonisë”. Edhe pse masa e arrestit shtëpiak i është hequr në bazë të ligjit, i akuzuari vazhdon të mbetet pa pasaportë, ndërsa ndaj tij janë caktuar edhe masa shtesë paraprake.
Nga Gjykata Penale bëjnë të ditur se vendimi për heqjen e arrestit shtëpiak është marrë për shkak të skadimit të afatit ligjor prej 60 ditësh, i llogaritur nga dita e paraqitjes së propozim-akuzës.
Sipas nenit 470 të Ligjit për Procedurën Penale, masa e paraburgimit, përkatësisht arrestit shtëpiak, e caktuar pas paraqitjes së propozim-akuzës, nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë. Në këtë rast, propozim-akuza ishte paraqitur më 13 gusht 2026, për këtë arsye Këshilli Penal mori vendim për heqjen e masës.
Megjithatë, heqja e arrestit shtëpiak nuk nënkupton edhe heqjen e kufizimeve të tjera ndaj të akuzuarit.
Gjykata e ka pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike për caktimin e masave shtesë të kujdesit. Me këto masa, A.G.-së i ndalohet largimi nga vendbanimi, përkatësisht vendqëndrimi, ai është i detyruar të paraqitet periodikisht në gjykatë, si dhe i ndalohet afrimi dhe vendosja e kontakteve me persona të caktuar.








