Dy detyrat “urgjente” të Presidentes

Advertisement

Përderisa formësimi i një qëndrimi të unifikuar përballë Dhomave të Specializuara përbën detyrën më urgjente, garantimi i ekuilibrit dhe balancimit të pushtetit mbetet parakushti kryesor për arritjen e suksesit në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm.

Në këtë kuadër, analisti politik pranë Këshillit Atlantik, Agon Maliqi, ka vlerësuar në një përgjigje për Albanian Post se prioriteti kryesor i Presidentes së zgjedhur të Republikës, Justina Shiroka-Pula, duhet të jetë udhëheqja e një konsensusi shtetëror përballë proceseve që ndërlidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë, Holandë.

Sipas Maliqit, kjo detyrë kërkon një strategji me dy drejtime: ndërtimin e kohezionit të brendshëm politik dhe angazhim intensiv në rrafshin diplomatik ndërkombëtar. “Detyra e menjëhershme e presidentes është që të prijë në ndërtimin e konsensusit shtetëror mbi sfidën e Hagës — kjo kërkon edhe kohezion të brendshëm në lidhje me financimin e mbrojtjes, edhe dimension diplomatik dhe diskutim me aleatët, sepse kemi nevojë të sigurojmë mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

E si prioritet të dytë po aq të rëndësishëm, ai ka nëvizuar nevojën për krijimin e një kabineti që projekton besim dhe paanshmëri. Ai ka tërhequr vërejtjen se funksionimi i presidencës si një institucion konsensual e i pavarur ndikimet e politikës ditore është i domosdoshëm për të shërbyer si urë lidhëse mes pushtetit dhe opozitës. “Prioriteti i dytë më i rëndësishëm që duhet të ndodhë paralelisht është krijimi i një ekipi në presidencë që projekton besim se presidenca do të jetë institucion konsensual dhe i pavarur, e jo politikisht i anshëm. Dështimi për ta bërë këtë gjë mund t’i dëmtojë përpjekjet e presidentes për të shërbyer si urë në mes të pushtetit dhe opozitës për të arritur konsensus jo vetëm për Hagën, por për një varg çështjesh të tjera”.

E zgjedhur në krye të shtetit si produkt i një marrëveshjeje të mundimshme konsensuale për të kapërcyer ngërçin rrënues politik, ajo merr drejtimin e vendit të vogël mes pritjes për të ushtruar një funksion mbi-partiak, në një kohën e përçarjes partiake e polarizimit të skajshëm brenda dhe sprovës së madhe historike jashtë pas aktgjykimit të turpshëm ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit