Dy shqiptarë mes 2% të shkencëtarëve më të cituar në botë, Kimet Jusufi dhe Veland Ramadani i prijnë listës në Maqedoninë e Veriut

Advertisement

Kimet Jusufi nga Universiteti i Tetovës dhe Veland Ramadani nga Universiteti i Evropës Juglindore janë dy shqiptarët që përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në mesin e 2% të shkencëtarëve më të cituar në botë, sipas listës së Universitetit Stanford dhe Elsevier për vitin 2026.

Maqedonia e Veriut këtë vit numëron gjithsej 11 shkencëtarë në listën globale të studiuesve më të cituar për një vit të vetëm, ndërsa në vlerësimin që përfshin ndikimin shkencor gjatë gjithë karrierës janë renditur 15 studiues.

Në mesin e 11 shkencëtarëve të përfshirë në listën e vitit 2026, Kimet Jusufi nga Universiteti i Tetovës renditet më së larti nga të gjithë shkencëtarët e Maqedonisë së Veriut, duke zënë vendin e 7.634-t në ranglistën botërore.

Ndërkaq, profesori Veland Ramadani nga Universiteti i Evropës Juglindore është përfshirë për të shtatën herë radhazi në mesin e 2% të shkencëtarëve më të cituar në botë, një vlerësim që pasqyron vazhdimësinë e punës dhe ndikimin e tij në komunitetin akademik ndërkombëtar.

„Jam i nderuar që sërish jam renditur në mesin e 2% të shkencëtarëve më të cituar në botë në listën Stanford–Elsevier për vitin 2026, për të shtatën herë radhazi. Ky vlerësim më motivon edhe më shumë të vazhdoj të kontribuoj në kërkimin shkencor dhe në komunitetin akademik global“, ka deklaruar Ramadani.

Sipas të dhënave të publikuara, numri i shkencëtarëve nga Maqedonia e Veriut në listën vjetore është rritur nga nëntë në vitin 2025 në 11 në vitin 2026, një rritje prej 22,2%. Me këtë rezultat, vendi është ngjitur për pesë pozita, duke arritur vendin e 106-të në botë për nga numri i studiuesve të përfshirë.

Lista përgatitet nga studiues të Universitetit Stanford në bashkëpunim me Elsevier dhe bazohet në disa tregues të ndikimit shkencor, përfshirë numrin e citimeve, publikimet shkencore dhe indeksin h.

Përfshirja e Kimet Jusufit dhe Veland Ramadanit në këtë listë përbën një vlerësim të rëndësishëm për punën e tyre akademike dhe për kontributin e institucioneve të arsimit të lartë në të cilat ata veprojnë. (INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit