Xhafer Kadrijaj u kthye në Kosovë me një qëllim, ta bëjë fshatin e tij të bukur si Zvicra

Advertisement

Nga Zvicra solli përvojën, në Rastavicë të Deçanit po e kthen rendin zviceran. Xhafer Kadrijaj, pensionist e ish-punëtor shumëvjeçar në Zvicër, po e bën vendlindjen më të pastër, më të rregullt dhe më të bashkuar. Gazeta e njohur zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” i ka kushtuar një portret të gjatë.

Pas më shumë se tri dekadash në Zvicër, Xhafer Kadrijaj po e përdor përvojën e fituar atje për ta ndryshuar vendlindjen e tij në Kosovë. Në moshën 73-vjeçare, ai udhëton mes Arth-Goldaut në Zvicrën qendrore dhe Rastavicës së Deçanit, ku prej tre vjetësh drejton fshatin. Synimi i tij është i qartë: rrugë të rregulluara, hapësira të gjelbra, pastërti dhe administrim transparent. “Atë që shoh në Zvicër, e zbatoj këtu”, thotë ai në një reportazh të gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung.

Nën drejtimin e Xhaferit dhe zëvendësit të tij, Blerim Kadrijaj, në Rastavicë janë asfaltuar rrugët, është vendosur ndriçim modern publik dhe është rinovuar shtëpia e fshatit, ku mbahen mbledhje, ceremoni mortore e dasma. Në varreza është ndërtuar një strehë për vendosjen e të ndjerëve para varrimit. Përgjatë rrugëve janë mbjellë pemë të reja, ndërsa hapësirat publike mirëmbahen nga një kopshtar i paguar nga banorët. Shumica e këtyre punëve janë financuar bashkërisht nga fshati dhe diaspora, me mbështetje vetëm të pjesshme nga institucionet.

Por Xhaferi nuk mjaftohet me organizimin dhe mbledhjen e parave. Ai punon vetë: bashkë me të vëllanë ka ndërtuar strehën prej druri të shtëpisë së fshatit, ndërsa gjatë verës ujit çdo mbrëmje pemët e reja. Ka nisur edhe aksione të përbashkëta pastrimi dhe kërkon që kujdesi për fshatin të bëhet zakon, jo vetëm angazhim i përkohshëm. Banorët bëjnë shaka me rreptësinë e tij, por ai shqetësohet kur, pas disa javësh në Zvicër, kthehet dhe sheh se pastërtia është lënë pas dore.

Për më shumë se njëzet vjet, Kadrijaj punoi si murator në të njëjtën ndërmarrje ndërtimi në Zug të Zvicrës. Pas pensionimit, energjinë dhe përvojën e tij ia kushtoi gjithnjë e më shumë Rastavicës. Sot, fshati me rreth 600 banorë të përhershëm përshkruhet nga kryetari i Komunës së Deçanit si shembull për rajonin. Për Xhaferin, ta bësh vendlindjen “si Zvicra” nuk do të thotë vetëm të ndërtosh rrugë e të mbjellësh pemë, por të krijosh përgjegjësi të përbashkët për vendin ku jeton. /Telegrafi/

 

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit