Prishtinë, 10 tetor – Ish-kryeministri italian kërkon një model të ri zgjerimi, ku qytetarët dhe bizneset e rajonit të përfitojnë konkretisht nga tregu i përbashkët europian përpara anëtarësimit. Ai paralajmëron se pa bashkëpunim më të madh mes vendeve të Ballkanit, integrimi mbetet i paplotë, shkruan gazeta KOHA. Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në tregun e përbashkët europian përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa bashkëpunimi mes vendeve të rajonit duhet të jetë pjesë thelbësore e këtij procesi. Ky është mesazhi i ish-kryeministrit italian Enrico Letta, i cili në Forumin e Shoqërisë Civile dhe Think Tank-ëve 2026 në Prishtinë, kërkoi që zgjerimi të mos mbetet vetëm një proces negociatash mes qeverive dhe Brukselit, por të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët. “Tregu i përbashkët duhet të bëhet pjesë e jetës së përditshme të qytetarëve në vendet kandidate përpara anëtarësimit”, deklaroi Letta, autor i raportit “Një Europë, Një Treg”. Sipas tij, qytetarët nuk mund të presin deri në përfundimin e negociatave për të ndier efektet e integrimit europian. Procesi duhet të përkthehet në mundësi konkrete ekonomike dhe në lidhje më të forta mes vendeve të rajonit. Jo vetëm Brukseli: Ballkani duhet të ndërtojë tregun e vet rajonal Letta vuri në dukje se një nga gabimet e zgjerimeve të mëparshme të BE-së ishte përqendrimi i marrëdhënieve te secili vend kandidat veçmas, në raport me Brukselin, pa nxitur sa duhet bashkëpunimin mes vetë vendeve kandidate. “Gabimi që bëmë ishte se çdo marrëdhënie e ndërtuam mes një vendi kandidat dhe Brukselit. Nuk i inkurajuam mjaftueshëm vendet kandidate të ndërtonin marrëdhënie dhe tregje funksionale me njëri-tjetrin”, tha ai. Sipas ish-kryeministrit italian, dëshira për t’u afruar me Brukselin, ndërkohë që nuk ndërtohen marrëdhënie të mira me vendet fqinje, bie ndesh me vetë mënyrën se si funksionon Europa. Ky mesazh e vendos bashkëpunimin rajonal në qendër të debatit për zgjerimin: integrimi europian nuk duhet të jetë vetëm një marrëdhënie dypalëshe mes secilit kryeqytet dhe institucioneve të BE-së, por edhe një proces që krijon tregje dhe lidhje funksionale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Prova, jo premtime” Duke folur për të ardhmen e Bashkimit Europian, Letta tha se sfida kryesore nuk është mungesa e strategjive, por aftësia për t’i zbatuar ato dhe për të prodhuar rezultate që qytetarët mund t’i shohin e t’i përjetojnë. “Kur pashë titullin e këtij eventi, ‘Prova, jo premtime’, kuptova menjëherë se ky është titulli që duhet vendosur mbi derën e çdo institucioni europian”, deklaroi ai. Letta paralajmëroi gjithashtu se fragmentimi i tregut europian po dobëson konkurrueshmërinë e kontinentit përballë fuqive të mëdha globale. Për këtë arsye, ai mbështet thellimin e integrimit ekonomik, financiar dhe energjetik të BE-së. Duke iu referuar planit “Një Europë, Një Treg”, ai përmendi si prioritete Bashkimin e Kursimeve dhe Investimeve, një kornizë më të përbashkët rregullatore për bizneset dhe një rrjet energjetik më të integruar. Ai prezantoi gjithashtu konceptin e “lirisë së pestë”, që synon lëvizjen e lirë të njohurive, kërkimit shkencor dhe aftësive profesionale, duke argumentuar se Europa duhet të kapërcejë fragmentimin e potencialit të saj kërkimor dhe humbjen e talenteve. Në përfundim, Letta bëri thirrje për angazhim më të madh të shoqërisë civile, universiteteve dhe instituteve kërkimore në shtytjen përpara të reformave europiane. Për Ballkanin Perëndimor, mesazhi i tij është që integrimi të mos matet vetëm me përparimin në negociata, por edhe me mundësitë që krijohen për qytetarët dhe bizneset, si dhe me aftësinë e vendeve të rajonit për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin përpara anëtarësimit në BE. (koha.mk)








