Nga Sofja kërkohet përshpejtimi i Korridorit 8, takimi i ardhshëm ministror në Shkup

Advertisement

Korridori 8 është korridor strategjik evropian që i lidh Detin Adriatik dhe Detin e Zi, tregjet, ekonomitë dhe njerëzit, ndërsa realizimi i tij është me interes të përbashkët për Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë, Shqipërinë dhe Bashkimin Evropian, porositën ministrat e Punëve të Jashtme, Timço Mucunski dhe Velisllava Petrova dhe eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos në konferecën e përbashkët për shtyp në Sofje, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Shqipërisë dhe Italisë.

Ata vlerësuan se angazhimi politik ndaj Korridorit 8 duhet të shndërrohet në zbatim konkret dhe investime, duke theksuar se projekti nuk është vetëm lidhje transporti, por platformë më e gjerë për lidhje ekonomike, energjitike, sigurie dhe rajonale.

Sipas tyre, në kushtet e realiteteve të ndryshuara gjeopolitike dhe të sigurisë, Korridori 8 mund të kontribuojë për zinxhirë më të sigurt dhe më rezistentë transporti, tregti dhe investime më të mëdha dhe lidhje më të mirë të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Nga Sofja u dërgua porosi e përbashkët se nevojitet të përshpejtohen aktivitetet dhe të mobilizohen investimet e nevojshme, me takimin e ardhshëm ministror për Korridorin 8, që do të mbahet në Shkup.

“Korridori 8 është shumë më tepër sesa një rrugë transporti dhe është një korridor strategjik evropian që lidh Detin Adriatik dhe Detin e Zi, tregjet, ekonomitë dhe njerëzit”, theksoi Mucunski në konferencën për shtyp.

“E di që kjo është veçanërisht interesante për opinionin e gjerë, ndërsa e thashë këtë mëngjes, kur i shihni ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Bullgarisë së bashku, duke buzëqeshur dhe të dakorduar për shumë gjëra. Por pikërisht këtë na e tregon simbolika pas ngjarjes së sotme: kur jemi të përqendruar në të ardhmen tonë të përbashkët, kur jemi të përqendruar në prioritetet tona të përbashkëta strategjike, atëherë, pa asnjë dyshim, mund t’u sjellim sukses dy kombeve dhe dy popujve”, tha Mucunski.

Ai theksoi se për Maqedoninë, Korridori 8 është një prioritet i qartë strategjik kombëtar, ndërsa pozita gjeografike e vendit midis Lindjes dhe Perëndimit duhet të shndërrohet në një përparësi përmes lidhjes më të mirë, bashkëpunimit ekonomik dhe sigurisë më të madhe rajonale.

Mucunski tha se mjedisi i ndryshuar gjeopolitik imponon nevojën për ruta transporti të sigurta, të diversifikuara dhe rezistente, zinxhirë furnizimi më të fortë, kushte më të mira për tregti dhe investime dhe infrastrukturë që mund të mbështesë mobilitetin ushtarak dhe sigurinë kolektive. Ministri shtoi se Korridori 8 nuk ka të bëjë vetëm me rrugët dhe hekurudhat, por edhe me qëndrueshmërinë, sigurinë, lidhjen strategjike të Evropës dhe integrimin evropian.

Mucunski e theksoi si hap të rëndësishëm përpara Marrëveshjen për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, e cila hyri në fuqi në mars të këtij viti, si dhe takimet e fundit të Komisionit të përzier në Sofje dhe Shkup. Ai theksoi se tani është koha për të shndërruar angazhimin politik në rezultate konkrete në terren, duke vazhduar bashkëpunimin me Bullgarinë, Shqipërinë, Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë.

Ai paralajmëroi se Maqedonia do të jetë nikoqir i takimit të ardhshëm ministror për Korridorin 8 në Shkup, me fokus në zbatim dhe rezultate konkrete, duke theksuar se suksesi i korridorit kërkon angazhim nga të gjitha vendet dhe partnerët.

Eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos, theksoi se lidhjet e transportit janë një nga fushat, në të cilat Evropa duhet të punojë në procesin e përgatitjes për zgjerim, pasi ato lidhin njerëzit, shkurtojnë kohën e udhëtimit dhe ulin harxhimet për bërjen e biznesit. Ajo theksoi se Korridori 8 duhet të lidhë Detin Adriatik me Detin e Zi dhe t’i sjellë përfitime Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe më gjerë.

“Pikërisht këtë duam ta arrijë Korridori 8: të lidhë Detin Adriatik dhe Detin e Zi dhe t’u sjellë përfitime njerëzve të Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe më gjerë”, tha Kos.

Ajo informoi se BE vetëm në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri e mbështet Korridorin 8 me 319 milionë euro dhe vlerësoi se duke ndërtuar këto lidhje infrastrukturore sot, po ndërtohen lidhjet e Unionit të së nesërmes. Sipas saj, një ditë rrugët dhe hekurudhat do të kalojnë nëpër një Evropë të bashkuar pa kufij të brendshëm, gjë që, siç tha ajo, është vizioni i politikës së zgjerimit.

Ajo theksoi se Korridori 8 do t’u shërbejë ekonomive dhe komuniteteve në të dyja anët e kufijve dhe do të jetë pjesë e një rrjeti më të gjerë lidhjesh transporti nga qendra e Evropës në zemër të Azisë, duke krijuar më shumë mundësi për kompanitë evropiane në kushte të lidhjeve të prishura tregtare.

Kos falënderoi Bullgarinë për lidershipin e saj në ndërtimin e lidhjeve të reja të transportit dhe energjisë, duke e përshkruar vendin si “port drejt Evropës”.

“Samiti për lidhshmëri, të cilin do ta organizoni së bashku me Komisionin Evropian në pranverë të vitit 2027, do të jetë një hap i rëndësishëm në avancimin e lidhjeve që i duhen Evropës”, tha Kos.

Ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Velislava Petrova Çamova vlerësoi se në takimin e tretë të sotëm për Korridorin 8, Bullgaria i dha nxitje politike iniciativës, e cila ka qenë përparësi për vite me radhë dhe nga disa qeveri, por jo gjithmonë ka pasur vullnet të mjaftueshëm politik për ta zbatuar atë në afatet e kërkuara. Ajo tha se prania në nivel ministror e vendeve nëpër të cilat kalon korridori, si dhe të Komisionit Evropian, SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Bankës Evropiane të Investimeve, Ukrainës, Rumanisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, tregon se kjo është një iniciativë më e gjerë rajonale.

Petrova theksoi se Korridori 8 duhet të konsiderohet gjithashtu si mundësi për të krijuar një rrjet më të gjerë korridoresh, prandaj Bullgaria vitin e ardhshëm do të jetë nikoqir i një forumi rajonal të lidhjes . Sipas Petrovës, forumi do t’i mundësojë Bullgarisë dhe rajonit të pozicionohen si pikë hyrjeje në Evropë, ndërsa Korridori 8 të bëhet lidhje natyrale me Korridorin e Mesëm dhe lloje të tjera të lidhjes me vendet e Gjirit Persik.

Ajo bëri me dije se rrugët dhe linjat hekurudhore individuale duhet të shihen si përparësi e përbashkët, në mënyrë që rajoni të jetë i pozicionuar më mirë, ekonomikisht më i qëndrueshëm dhe më i sigurt. Petrova vlerësoi se është me rë ndësi të shndërrohet vullneti politik në zbatim praktik dhe të tërhiqen investime të përshtatshme që projekti të zbatohet brenda afatit të paraparë.

“Mendoj se ishte me rëndësi që të gjithë të bashkoheshim rreth rolit të këtij korridori. Tani është me rëndësi ta shndërrojmë këtë vullnet politik në zbatim praktik dhe të tërheqim investimet e duhura, në mënyrë që të mund të zbatohet brenda afatit të paraparë”, theksoi Petrova.

Në takimin ministror në Sofje morën pjesë përfaqësues të vendeve dhe institucioneve që lidhen me Korridorin 8, ndërsa në fokus ishte lidhja transportuese, energjetike dhe e sigurisë, si dhe mundësitë për promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit