Një person ende i paidentifikuar ka dëmtuar gomat e një veture zyrtare të Qendrës për Punë Sociale në Tetovë, e cila duhej të përdorej për kontrolle në terren të përfituesve të ndihmës sociale. Rasti është denoncuar në polici rreth orës 08:15.
Gjatë kontrollit të kamerave të sigurisë është konstatuar se në kohën kur dyshohet se ka ndodhur incidenti, objekti kishte mbetur pa energji elektrike, ndaj pamjet nuk kanë mundësuar identifikimin e autorit.
Incidenti ndodh në kohën kur institucionet kanë intensifikuar verifikimin e përfituesve të ndihmës së garantuar minimale dhe sigurisë sociale për të moshuarit. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se deri tani janë evidentuar mbi 4.500 raste të parregullta, mes tyre persona të vdekur, të shpërngulur dhe përfitues fiktivë.
Policia po punon për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e personit që ka dëmtuar automjetin.






