Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe një nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, ka përshëndetur zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës si Presidente e re e Republikës së Kosovës.
Kasami i ka uruar Pulës mandat të suksesshëm, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“E përshëndes zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës si Presidente e Republikës së Kosovës. I uroj mandat të mbarë dhe të suksesshëm. Presim të bashkëpunojmë ngushtë, si dy shtete vëllazërore, në të mirën e qytetarëve tanë”, ka shkruar Kasami.
Ai ka përshëndetur edhe konsensusin e arritur nga partitë politike në Kosovë lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kasami vlerëson se këto zhvillime e çojnë Kosovën drejt stabilitetit institucional, ndërsa ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti për atë që e cilëson si “udhëheqje bashkuese dhe prej burrështetasi”.
“Jam i bindur se Kosova po hapëron në rrugë të mbarë drejt stabilitetit institucional”, është shprehur Kasami.






