Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për 4 vrasje në Kumanovë: Në qendër të akuzës edhe nekrofilia

Advertisement

Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për Trajçe Bojkovskin, i akuzuar për katër vrasje dhe dy tentativa vrasjeje në Kumanovë. Vendimi pritet të shpallet në seancën e ardhshme të Gjykatës Themelore të Kumanovës.

Prokurori Ljubomir Lape tha se viktimat ishin gra të moshuara dhe të pambrojtura, të cilat, sipas aktakuzës, ishin sulmuar kur ndodheshin vetëm.

Sipas Prokurorisë, katër viktimat – Stançe Karevska, Janka Antevska, Marija Marinkovska dhe Mira Stankovska – janë vrarë në mënyrë të ngjashme, me mbytje dhe presion në kraharor. Gjurmë të ADN-së së të akuzuarit janë gjetur te dy viktima dhe te njëra prej grave që mbijetoi.

Dy gratë e mbijetuara kanë deklaruar se ishin kapur për qafe, rrëzuar dhe mbytur.

Prokuroria e konsideron nekrofilinë si motiv të veçantë dhe rrethanë rënduese në këtë rast, ndërsa mbrojtja kërkoi që gjykata të marrë parasysh moshën e të akuzuarit, pranimin e një pjese të veprave dhe faktin se ai nuk kishte qenë i dënuar më parë.

Avokati mbrojtës argumentoi se mënyra e kryerjes së veprave dhe disa rrethana nuk janë të mjaftueshme, të vetme, për të provuar fajësinë.

Bojkovski nuk e pranon vrasjen e Stançe Karevskës, ndërsa Prokuroria pretendon se disa detaje të dhëna prej tij përputhen me gjetjet forenzike.

Gjykata në Kumanovë pritet ta shpallë aktgjykimin në seancën e ardhshme.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit