Bashkimi Demokratik për Integrim, me vëmendje të veçantë po i përcjell zhvillimet politike dhe institucionale në Republikën e Kosovës, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e vlerave sublime të kombit shqiptar, të cilat janë ndërtuar dhe dëshmuar ndër breza. Pa dyshim, në historinë moderne të kombit tonë, një prej këtyre vlerave sublime është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kontributi i së cilës në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës mbetet vendimtar.
UÇK-ja është vlerë e përbashkët kombëtare. Ajo i takon gjithë kombit shqiptar dhe qëndron mbi partitë politike, mbi dallimet dhe interesat e ditës. UÇK-ja është një prej vlerave që ka bashkuar shqiptarët në momentet më të rëndësishme të historisë së tyre të re dhe kontributi i saj duhet të trajtohet me përgjegjësi, dinjitet dhe respekt institucional.
BDI thekson se përgjegjësia bie mbi autoritetet e Republikës së Kosovës që të gjejnë një zgjidhje nga kjo situatë, e cila do të jetë në përputhje me mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, mbrojtjen e dinjitetit të pjesëtarëve të saj dhe interesin e përgjithshëm të vendit. Në këto momente, interesat politike të ditës duhet t’i lënë vend interesit kombëtar, unitetit dhe përgjegjësisë shtetërore, duke ruajtur atë që UÇK-ja përfaqëson për kombin shqiptar dhe për historinë e Kosovës.






