Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, mori pjesë në përurimin e Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, duke vlerësuar zhvillimin e këtij institucioni dhe investimet në arsimin e lartë.
Kumbaro tha se zgjedhja e Durrësit për nisjen e vitit të ri akademik lidhet me zhvillimin e universitetit dhe orientimin e tij drejt kërkesave të tregut të punës.
“Studimet profesionale lidhin auditorin me tregun e punës, laboratorin me ndërmarrjen dhe, kur ato ndërtohen mirë, ia kthejnë diplomës peshën e saj”, u shpreh ministrja.
Ajo bëri të ditur se këtë vit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” janë regjistruar mbi 1,900 studentë të rinj, duke e cilësuar këtë shifër si një tregues të besimit të të rinjve dhe familjeve të tyre ndaj institucionit.
Kumbaro veçoi gjithashtu arritjet e universitetit në fushën e kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit, duke përmendur indeksimin e revistës shkencore të universitetit në Scopus.
Ministrja njoftoi se në universitetet shqiptare po shtohen programet e përbashkëta dhe ato me diplomë të dyfishtë me universitete të huaja, ndërsa 26 programe të reja do të ofrohen në gjuhën angleze.
Në fokus të politikave të reja është edhe forcimi i kërkimit shkencor. Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin kanë hapur thirrjen për mbështetjen e studentëve të doktoraturës, me një fond prej mbi 600 mijë eurosh.
Ndërkohë, pritet të hapet edhe një thirrje për projekte në infrastrukturën kërkimore, me fokus investimet në laboratorë dhe rritjen e kapaciteteve kërkimore të universiteteve.






