Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, ka prezantuar në Kuvend ndryshimet në Ligjin për Mjedisin Jetësor, me të cilat synohet harmonizimi i legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian.
Ndryshimet përfshijnë Direktivën 2014/52/BE, e cila lidhet me përmirësimin e vlerësimit të ndikimit të projekteve në mjedis.
Hoxha tha se që nga viti 2014 nuk janë bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, duke theksuar rëndësinë e tyre për mbrojtjen e mjedisit dhe procesin e integrimit evropian.
Sipas tij, me ndryshimet e propozuara do të merret parasysh edhe ndikimi klimatik gjatë vlerësimit të projekteve, ndërsa parashikohet forcim i mbrojtjes së biodiversitetit dhe masave parandaluese ndaj rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore.
Një tjetër risi është mundësia që qytetarët të kenë qasje elektronike në informacionet mjedisore, me qëllim rritjen e transparencës dhe qasjes në të dhëna.
Hoxha vlerësoi se ndryshimet do të kontribuojnë në përmirësimin e sistemit të mbrojtjes së mjedisit dhe përafrimin e standardeve vendore me kërkesat e BE-së.






