Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka folur për zhvillimin e komunës, investimet në infrastrukturë dhe sfidat me të cilat përballen banorët.
Në emisionin “Pod Go” në Telegrafi, Sejdiu tha se synimi i tij është që Zhelina të shndërrohet në një nga komunat më të zhvilluara, duke theksuar se pozita gjeografike i jep komunës potencial të madh.
“Dua që të jetë komuna më e zhvilluar dhe do të jetë komuna më e zhvilluar sepse e ka pozicionin. Vetëm mundësi duhet t’i jepen”, tha Sejdiu.
Ai përmendi ndërtimin e rrugëve të reja dhe investimet në infrastrukturë si pjesë të prioriteteve për zhvillimin e komunës.
Sejdiu foli edhe për problemin me qentë endacakë, duke e cilësuar atë si një çështje të vështirë dhe të ndjeshme që kërkon angazhim institucional.
“Realistisht është temë e dhimbshme tema e problemit me qentë endacakë. Nuk është e lehtë, sepse dikush këtu duhet t’i krijojë mekanizmat, prej nivelit qendror e më poshtë”, u shpreh ai.






