Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) po thellon bashkëpunimin me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, me fokus të veçantë te komuniteti i alumnive dhe mundësitë për shkëmbim, zhvillim profesional dhe pjesëmarrje në programe të mbështetura nga SHBA-ja.
Në kuadër të vizitës në UEJL, universiteti priti Laura Djuragic, Përgjegjëse për Çështje Publike në Ambasadën e SHBA-së, dhe Gazmend Ilazin, Koordinator për Këmbim dhe Alumni.
Përfaqësuesit amerikanë zhvilluan takime me rektorin Sadudin Ibraimi dhe përfaqësues të tjerë të universitetit, ndërsa pjesë e vizitës ishte edhe një takim me alumnit e UEJL-së që kanë marrë pjesë në programe akademike dhe profesionale të mbështetura nga SHBA-ja.
Alumnit ndanë përvojat e tyre mbi ndikimin e këtyre programeve në zhvillimin akademik dhe profesional, si dhe diskutuan për mundësitë e reja për bashkëpunim mes komunitetit akademik, profesionistëve dhe institucioneve partnere.
UEJL bëri të ditur se do të vazhdojë të zhvillojë partneritetet ndërkombëtare dhe të krijojë mundësi të reja për studentët, alumnit dhe komunitetin akademik.






