Ministri për Administratë Publike, Goran Minçev, gjatë një vizite pune në Shkollën Kombëtare për Administratë Publike të Italisë (SNA), ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe zhvillimin profesional të nëpunësve administrativë.
Në takimin me presidentin e SNA-së, prof. Gennaro Terraciano, Minçev foli për mundësitë e bashkëpunimit, veçanërisht në kuadër të përgatitjeve për funksionalizimin e Akademisë për përmirësim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativë në Maqedoninë e Veriut.
SNA është institucion i Presidencës së Këshillit të Ministrave të Italisë dhe ka rol në rekrutimin dhe trajnimin e nëpunësve shtetërorë dhe drejtuesve, si dhe në zhvillimin e kapaciteteve të administratës publike.
Minçev theksoi se Akademia e re nuk do të jetë vetëm një institucion i ri, por një qasje e re ndaj zhvillimit profesional të administratës, ku dija, kompetencat dhe përmirësimi i vazhdueshëm do të jenë pjesë e sistemit.
Ligji për përmirësim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativë u miratua në vitin 2025, ndërsa Akademia pritet të fillojë punën në janar të vitit 2027.
Sipas sistemit të ri, trajnimet do të planifikohen sipas nevojave të institucioneve, ndërsa nëpunësit e rinj do t’i nënshtrohen trajnimit fillestar dhe provimit. Edhe drejtuesit do të kenë detyrim për zhvillim profesional pas avancimit.
Në takim u diskutua edhe për mënyrën e re të emërimit dhe caktimit të drejtuesve të lartë në sektorin publik, si dhe për mundësinë e shkëmbimit të përvojave me SNA-në në përcaktimin e kompetencave drejtuese dhe programeve të trajnimit.
Palët shqyrtuan mundësi për shkëmbim programesh dhe metodologjish, trajnerësh e ekspertësh, vizita studimore dhe kërkime të përbashkëta në fushën e zhvillimit të administratës dhe drejtuesve të lartë.






