Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka komentuar protestat në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se vendimin për dënimin e tyre e ka pritur me dhimbje.
Duke folur në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, Mexhiti bëri thirrje për unitet të forcave politike dhe shprehu mbështetjen për protestat.
“Me dhimbje e kam pritur vendimin për dënimin e katër krerëve të UÇK-së. Bëjmë thirrje për unitet të forcave politike dhe të bëjmë më të mirën që Gjykata e Apelit të hedhë poshtë këtë dënim”, tha Mexhiti.
Ai theksoi se VLEN i mbështet protestat, por kundërshton përpjekjet për t’u dhënë atyre ngjyrë partiake.
“Fuqishëm e mbrojmë UÇK-në e Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe jemi në gatishmëri për ta ndihmuar protestën”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se edhe brenda VLEN-it ka ish-ushtarë të UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve, të cilët, sipas tij, janë të bashkuar në këtë qëndrim.






