Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka folur për problemin me diplomat e nxënësve dhe ish-nxënësve të Medresesë “Isa Beu”, në emisionin “n’Podium” në Ora24.tv.
Sulejmani tha se çështja e Medresesë është zgjidhur ligjërisht, ndërsa nxënësve u është mundësuar që t’i nënshtrohen maturës shtetërore. Megjithatë, problem mbetet kalimi nga programi i vjetër në atë të ri mësimor.
Sipas tij, nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt mund të kenë nevojë të japin provime diferenciale, në mënyrë që të plotësojnë dallimet mes programeve dhe më pas të mund t’i nënshtrohen maturës shtetërore.
Ai bëri të ditur se Medreseja “Isa Beu” ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Arsimit dhe se ajo pritet të shqyrtohet së shpejti.
Sulejmani foli edhe për ish-nxënësit që kanë përfunduar universitetin, por pretendohet se nuk po mund t’i marrin diplomat. Për këtë kategori, sipas tij, duhet të gjendet një zgjidhje e veçantë ligjore.
“Jemi të vetëdijshëm. Janë vite të humbura, jetë të humbura”, tha Sulejmani, duke shtuar se Ministria do të bëjë maksimumin për të gjetur një zgjidhje.
Ai përmendi mundësinë që edhe këta ish-studentë t’u nënshtrohen provimeve diferenciale, në mënyrë që të mund të legalizohen diplomat e tyre.Ora24.tv






