Sulejmani: Problemi me transportin e studentëve pritet të zgjidhet me riorganizimin e linjave

Advertisement

Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, në emisionin “n’Podium” në  Ora24.tv , foli edhe për problemin me transportin e studentëve, veçanërisht për ata që jetojnë larg universiteteve.

Sulejmani tha se studentët nga Shkupi dhe qytetet e tjera, të cilët jetojnë në zona më të largëta, aktualisht kanë mungesë të opsioneve të përshtatshme të transportit.

Sipas tij, çështja e transportit është kryesisht në përgjegjësi të Qytetit të Shkupit, ndërsa problemi është ngritur edhe në Këshillin e Qytetit nga grupi i këshilltarëve të VLEN-it.

“Pritet që zgjidhja të vijë pasi qyteti të pajiset me autobusë të rinj”, tha Sulejmani.

Ai bëri të ditur se, sipas informacioneve që ka, rreth 100 autobusë të rinj pritet të vihen në përdorim në Shkup. Pas tyre, pritet edhe riorganizimi i linjave të autobusëve, që është në kompetencë të Këshillit të Qytetit të Shkupit.

Sulejmani foli edhe për problemet me hapësirat e Universitetit “Nënë Tereza”, për shkak të punimeve në kampusin e ri. Ai tha se, derisa të përfundojnë punimet, një pjesë e studentëve do t’i ndjekin ligjëratat në hapësirat e sindikatës, pas marrëveshjes së nënshkruar për përdorimin e objektit.

Ai përmendi edhe ndërhyrjen e zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, në zgjidhjen e çështjes së statutit të universitetit dhe në sigurimin e hapësirave të përkohshme për studentët.Ora24.tv 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit