Këshilltari i VLEN-it në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Zekerija Berisha, ka bërë të ditur se grupi i këshilltarëve të këtij koalicioni ka mbështetur disa vendime gjatë seancës së 19-të të Këshillit, që lidhen me shërbimet publike dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët.
Sipas Berishës, këshilltarët kanë votuar pro masave që përfshijnë organizimin e transportit publik, rendin komunal, sinjalizimin në komunikacion, funksionimin e shkollave me numër të vogël nxënësish, si dhe investimet për rritjen e efikasitetit energjetik në shkollat e mesme të qytetit.
Në seancë janë miratuar edhe programe për funksionimin e institucioneve publike dhe kulturore, si dhe planet vjetore të punësimit për vitin 2027 për Qytetin e Shkupit, ndërmarrjet publike dhe institucionet e qytetit.
“Mandati në Këshill nuk është vetëm një ulëse dhe as vetëm një votë. Është përgjegjësi për të kërkuar, negociuar dhe realizuar zgjidhje konkrete për qytetarët që na kanë dhënë besimin e tyre”, deklaroi Berisha.
Ai tha se vendimet e mbështetura nga VLEN-i janë rezultat i punës dhe koordinimit me partnerët e koalicionit që udhëheqin Qytetin e Shkupit.
“VLEN nuk është në Këshill për të bërë zhurmë, jemi këtu për të prodhuar rezultate”, tha Berisha.
Berisha shtoi se grupi i këshilltarëve do të vazhdojë të mbështesë projektet që i konsideron të dobishme për Shkupin dhe të kërkojë që premtimet të konkretizohen përmes punës dhe realizimit të projekteve.






