Toshkovski: Shpërbëhet grupi i fuqishëm kriminal në Prilep, vepronte prej 15 vitesh në Maqedoni dhe vende të BE-së

Advertisement

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë një interviste në Radio Lider, bëri të ditura ekskluzivisht detaje për aksionin e madh policor të zhvilluar dje në Prilep, duke theksuar se bëhet fjalë për shpërbërjen e një grupi serioz kriminal të organizuar, ndaj të cilit Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike dhe shërbimet partnere të huaja, kishte punuar për më shumë se një vit.

“Bëhet fjalë për shpërbërjen e një grupi kriminal të organizuar, një grup shumë serioz kriminal, një pjesë e të cilit për më shumë se 15 vjet ka bërë atë që ka bërë dhe ka qenë i paprekshëm për organet e ndjekjes”, deklaroi Toshkovski.

Ministri informoi se gjatë ditës së djeshme janë kryer rreth 30 bastisje, ndërsa rreth 21 persona do të përfshihen në kallëzimin e parë penal, i cili pritet të procedohet gjatë ditës. Procedura po vazhdon me urgjencë dhe me urdhër të prokurorit publik.

Sipas Toshkovskit, ekzistojnë dyshime të bazuara se një pjesë e grupit gjatë periudhës së kaluar ka vepruar edhe në territorin e Greqisë, në zonën e Halkidikisë dhe Kalitheas, ku dyshohet për vepra të rënda penale kundër pasurisë, përfshirë vjedhje të rënda. Sipas informacioneve të hetimit, një pjesë e grupit ka kryer veprime kriminale edhe në Spanjë. Një nga personat që ndodhej në arrest shtëpiak në Spanjë ishte arratisur, ndërsa tani është kapur nga policia maqedonase dhe është proceduar në përputhje me ligjin.

“Me të vërtetë bëhet fjalë për një grup serioz kriminal të organizuar, i cili, po e përsëris, për shumë vite ka vepruar jo vetëm në Maqedoni, por edhe në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Me një aksion gjithëpërfshirës, nën koordinimin e Prokurorisë Publike, kjo organizatë kriminale është hetuar për më shumë se një vit”, tha Toshkovski.

Në kuadër të hetimit ekzistojnë dyshime se veprimet kriminale të disa prej anëtarëve janë ndihmuar edhe nga zyrtarë policorë, të cilët u kanë përcjellë informacione anëtarëve të grupit. Për këtë arsye, gjatë aksionit janë kryer edhe disa bastisje te zyrtarë policorë, për të cilët ekzistojnë dyshime se kanë bashkëpunuar me disa prej të dyshuarve.

Toshkovski informoi gjithashtu se një anëtar i familjes së ngushtë të njërit prej të dyshuarve ishte arrestuar disa muaj më parë nga policia franceze, pasi në një bunker të automjetit të tij ishin gjetur 10 kilogramë kokainë. Sipas informacioneve të ministrit, droga dyshohej se kishte për destinacion Maqedoninë.

Gjatë bastisjeve të djeshme është gjetur edhe një shumë parash prej më shumë se 120–130 mijë eurosh. Gjithashtu janë sekuestruar rreth 10 automjete, mes tyre dy Maserati dhe dy automjete luksoze Land Rover. Për njërin prej automjeteve ekzistojnë dyshime të bazuara se është i lidhur me dokumentacion të falsifikuar. Veprimet hetimore kanë vazhduar edhe sot.

Ministri theksoi se qëllimi i hetimit nuk është vetëm dokumentimi dhe procedimi i veprave penale, por edhe identifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së krijuar si rezultat i aktiviteteve kriminale.

“Qëllimi i këtij hetimi dhe i këtij procesi penal që po ndërmarrim nuk është vetëm të dokumentojmë, evidentojmë dhe procedojmë veprat penale të kryera nga autorët, për të cilat kemi mbledhur prova të shumta gjatë vitit të fundit, por edhe që gjithçka që është krijuar si pasojë e veprave penale, në aspektin e rritjes së pasurisë, të konfiskohet dhe të vihet në funksion të shtetit”, deklaroi Toshkovski.

Ai theksoi se ekzistojnë dyshime edhe për pastrim parash, përkatësisht se të ardhurat e siguruara nga aktivitetet kriminale janë futur në qarkullimin e ligjshëm financiar në Maqedoni dhe jashtë vendit. Hetimi ka zbuluar gjithashtu një gjurmë që lidhet me blerjen dhe shitjen e pasurive të paluajtshme në Serbinë fqinje.

“Qëllimi është të tregojmë dhe të përcjellim një mesazh të qartë se krimi në Maqedoni nuk paguan më dhe se çdo person që ka gabuar dhe ka kryer vepër penale, pavarësisht se për çfarë lloj vepre bëhet fjalë, veçanërisht trafikimi i drogës dhe helmimi i të rinjve tanë, do të përgjigjet. Ndërsa gjithçka që ka fituar si pasuri të paligjshme do të konfiskohet dhe do të vihet në funksion të shtetit”, tha ministri Toshkovski.

Hetimi po vazhdon në koordinim me Prokurorinë Publike, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë me veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e pasurisë për të cilën ekzistojnë dyshime se është krijuar përmes aktiviteteve kriminale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit