Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se subjektet politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për një listë të përbashkët, të quajtur “Koalicioni Shqiptar”, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Kurti bëri të ditur marrëveshjen përmes një postimi në Facebook, duke thënë se partitë kanë afruar qëndrimet dhe janë bashkuar rreth një zotimi të përbashkët.
Ai falënderoi përfaqësuesit e subjekteve politike Shaip Kamberin, Visar Memetin, Nagip Arifin, Agim Sabedinin, Shqiprim Musliun, Sami Salihun, Armend Aliun dhe Naser Azirin për angazhimin në arritjen e marrëveshjes.
Kurti përmendi gjithashtu kontributin e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, kryetares së Preshevës, Ardita Sinanit, kryetarit të Bujanocit, Arbër Pajazitit, si dhe përfaqësuesve nga Medvegja dhe Pazari i Ri.






