Është caktuar paneli i Apelit që do të shqyrtojë ankesën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas raportimeve të VOX Kosova, paneli do të përbëhet nga gjyqtarja franceze Michele Picard, e cila do të jetë kryesuese, gjyqtari gjerman Kai Ambos dhe gjyqtarja norvegjeze Nina Jorgensen.
Michele Picard është gjykatëse në Gjykatën e Apelit në Paris që nga viti 2013. Më herët ka shërbyer si gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe ka pasur angazhime në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe vende të tjera.
Kai Ambos është profesor i së drejtës penale dhe së drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Göttingenit në Gjermani. Ai ka përvojë edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ndërsa ka botuar punime të shumta në fushën e së drejtës penale dhe procedurës penale.
Nina Jorgensen është profesore e së drejtës publike ndërkombëtare në Universitetin e Southamptonit. Ajo ka punuar më herët në Gjykatën Speciale për Sierra Leonen, Dhomat e Jashtëzakonshme në Kamboxhia, si dhe në Tribunalet Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën.
Paneli i përbërë nga këta tre gjyqtarë do të shqyrtojë ankesën në procedurën e Apelit.






