Institucioni Publik Parku Kombëtar “Mali Sharr” dhe organizata “Pure Promise” kanë nënshkruar një marrëveshje të re për pyllëzimin e 12 hektarëve në zonën e mbrojtur.
Në kuadër të projektit parashihet mbjellja e 30 mijë fidanëve, ndërsa marrëveshja përfshin edhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve të pyllëzuara për dy vite.
Drejtori i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, Evzal Elmazi, tha se projekti nuk përfshin vetëm mbjelljen e pemëve, por edhe kujdesin e vazhdueshëm për rritjen dhe mbijetesën e tyre.
Sipas tij, ripërtëritja e pyjeve të dëmtuara do të kontribuojë në përmirësimin e ekosistemeve dhe në rritjen e qëndrueshmërisë së tyre ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe do të krijojë hapësira të reja për biodiversitetin.
Elmazi shprehu mirënjohje për “Pure Promise” për mbështetjen dhe investimin në aktivitetet ekologjike, duke theksuar se ekipet tashmë po përgatiten për fillimin e mbjelljes gjatë sezonit të vjeshtës.






