Ministria: Interesi për energjinë e rinovueshme duhet të shndërrohet në projekte konkrete

Advertisement

Krijimi i një kuadri të qëndrueshëm rregullator, koordinimi më i mirë ndërmjet institucioneve dhe lidhja e rregullativës me mundësitë e financimit janë të rëndësishme për realizimin e projekteve në fushën e energjisë së rinovueshme.

Ky ishte një nga mesazhet e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale në forumin “Menaxhimi i ndërtesave inteligjente dhe financimi i gjelbër për ajër më të pastër në Maqedoninë e Veriut”.

Forumi u organizua në kuadër të bashkëpunimit me UNECE dhe Ekipin e OKB-së në vend, me pjesëmarrjen e UNDP-së, IOM-it, BERZH-it dhe institucioneve të tjera partnere. Në të morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, sektorit financiar e të biznesit, si dhe komunitetit akademik.

Në fokus ishin efikasiteti energjetik, investimet në burimet e rinovueshme të energjisë dhe mënyrat e financimit të gjelbër.

Gjatë panelit “Nga sfidat individuale drejt zgjidhjeve sistemore”, Violeta Nikollova, këshilltare e posaçme dhe drejtuese e Sektorit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, tha se në vend ka interes të madh nga investitorët për projektet e energjisë së rinovueshme.

Sipas saj, sfida e radhës është krijimi i kushteve që ky interes të përkthehet në projekte të realizueshme dhe të qëndrueshme.

Nikollova theksoi se përsëritja e të njëjtave probleme në projekte të ndryshme duhet të shërbejë si sinjal për përmirësimin e mekanizmave institucionalë dhe kthimin e këtyre përvojave në njohuri të dobishme për sistemin.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit