Kuvendi i Kosovës miraton deklaratën për ish-krerët e UÇK-së

Advertisement

Kuvendi i Kosovës ka harmonizuar një deklaratë të përbashkët për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deklarata është përkrahur nga partitë shqiptare parlamentare, përfshirë VV-në, PDK-në, LDK-në dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Dhe, është votuar me 99 vota.

Në dokument shprehet shqetësim për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës […] shpreh shqetësimin e thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë”, thuhet në deklaratë.

Pika më e drejtpërdrejtë lidhet me përfundimet gjyqësore për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.

Kuvendi thotë se “konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët”.

Deklarata kërkon gjithashtu angazhim të koordinuar të institucioneve të Kosovës lidhur me trashëgiminë dhe interpretimin historik të luftës.

Kuvendi kërkon “hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore”, e cila do të bashkërendonte veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike.

Sipas deklaratës, qëllimi duhet të jetë “mbrojtja dhe afirmimi i së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri”.

Dokumenti i referohet edhe aktgjykimeve të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për krimet e kryera nga strukturat jugosllave dhe serbe.

Kuvendi thekson se ky kontekst “duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë”.

Në një tjetër pikë, Dhomave të Specializuara u kërkohet respektimi i mandatit të tyre sipas vullnetit të Kuvendit të Kosovës.

Deklarata kundërshton “çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës” ose për të vënë në dyshim luftën çlirimtare.

Po ashtu kundërshtohet “barazimi” ndërmjet popullit të Kosovës dhe regjimit serb gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Dokumenti përfundon duke lidhur tri çështje: trashëgiminë e luftës, drejtësinë për viktimat dhe të drejtën e të dënuarve për gjykim të drejtë.

“E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë.”

Në fjalinë përmbyllëse, Kuvendi merr zotim institucional për këto tri shtylla: “Kuvendi do t’i mbrojë të trija pa kompromis.”

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit