Pesëmbëdhjetë deputetë të rinj kanë bërë betimin në Kuvendin e Kosovës, pas zëvendësimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që janë emëruar në pozita ministrore në Qeverinë e re.
Emrat e deputetëve të rinj janë prezantuar në seancën plenare nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Betimin e kanë bërë Naim Bardiqi, Fitim Haziri, Ilir Qeriqi, Egzon Azemi, Mimoza Shala, Arsim Ademi, Luan Aliu, Fatos Geci, Adelina Tërshani, Ejup Ahmeti, Filiz Mustafa, Arijeta Rexhepi, Agon Batusha, Fahrush Rexhepi dhe Elvira Ibrahimi.
Zëvendësimi i tyre ka ardhur pasi deputetët që kanë mbajtur mandatet në Kuvend janë emëruar në pozita në ekzekutiv.
Me plotësimin e vendeve të liruara, Legjislatura XI e Kuvendit të Kosovës vazhdon punën me 120 deputetë.
Lista e deputetëve të kësaj legjislature është publikuar edhe në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/






