Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke folur në emisionin “N’Dritë” në Alsat, Qoku tha se personalisht kishte marrë pjesë në protestat kundër themelimit të Gjykatës Speciale dhe se qëndrimi i tij kundërshtues, sipas tij, vazhdon edhe sot.
“Unë vetë personalisht kam marrë pjesë në protestat që janë zhvilluar kundër Gjykatës Speciale dhe që atëherë ne vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë gjykatë”, deklaroi Qoku.
Ai kritikoi bazën mbi të cilën, sipas tij, u krijua kjo gjykatë, duke e lidhur atë me raportin e ish-senatorit zviceran Dick Marty. Raporti i Marty-t i vitit 2010 përfshinte pretendime për krime të rënda të lidhura me pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa hetimet pasuese nuk provuan pretendimet për trafikim organesh.
Qoku tha se shqiptarët dhe VLEN-i vazhdojnë ta kundërshtojnë procesin në Hagë, ndërsa ngriti edhe pyetje lidhur me rolin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, në procesin e themelimit të Gjykatës Speciale.
“Pse kryetari i BDI-së loboi dhe propagandoi themelimin e kësaj gjykate?”, pyeti Qoku.






