Tetova ka qenë nikoqire e një dialogu ndërkomunal që synon forcimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Shkup, Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, si dhe kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, tha se fokusi i takimit ishte shkëmbimi i përvojave dhe përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Sipas Kasamit, Komuna e Tetovës bashkëpunon me Qendrën e Strehimit “Etika”, Qendrën për Këshillim Psikologjik “Cortex”, Qendrën për Punë Sociale, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim të mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave.
Dialogu mes Tetovës, Dragashit dhe Kukësit synon të krijojë një bashkëpunim më konkret dhe koordinim më të mirë institucional në adresimin e kësaj problematike.
“Qëllimi i përbashkët është të kemi institucione më të koordinuara dhe mbështetje më të mirë për qytetarët”, deklaroi Kasami.






