Vetëm 11 shqiptarë të pranuar në shkollën policore, përplasen Toshkovski dhe opozita

Advertisement

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka bërë të ditur se nga 520 kandidatët që kanë aplikuar në shkollën e mesme policore, 31 kanë qenë shqiptarë, ndërsa vetëm 11 prej tyre janë pranuar. Shifrat kanë shkaktuar përplasje mes pushtetit dhe opozitës gjatë seancës për pyetje deputetësh.

Toshkovski tha se numri i kandidatëve shqiptarë është i ulët dhe se kjo situatë mund të përmirësohet përmes bashkëpunimit me opozitën dhe miratimit të Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, për të cilin ai akuzoi opozitën shqiptare se po e bllokon.

“Është fakt se numri është shumë i ulët. Në të ardhmen duhet të punojmë më shumë për t’i motivuar të gjitha etnitë në Maqedoni që të jenë pjesë e shkollës së mesme policore”, deklaroi Toshkovski, duke shtuar se edhe pushtetet e kaluara, sipas tij, nuk kanë bërë mjaftueshëm për MPB-në dhe shkollën policore.

Nga ana tjetër, deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari, kundërshtoi shifrat e ministrit, duke pretenduar se mbi 100 kandidatë shqiptarë i kanë plotësuar kushtet për pranimin në shkollën e mesme policore.

Ajdari akuzoi gjithashtu se procesi është kontrolluar nga VMRO-DPMNE dhe se në të nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues nga VLEN-i.

Opozita shqiptare përsëriti qëndrimin se nuk do ta mbështesë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, me arsyetimin se në të nuk parashikohen kuota etnike, mekanizma institucionalë për zbatimin e tij dhe sanksione për institucionet që nuk e zbatojnë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit