Të rinjtë do të kenë mundësi të aplikojnë online nga 1 deri më 15 tetor për një nga 41 mijë biletat falas të trenit që ndahen në kuadër të iniciativës evropiane DiscoverEU. Për të përfituar nga kjo mundësi, të rinjtë e lindur gjatë vitit 2008 duhet të plotësojnë një kuiz të shkurtër lidhur me Bashkimin Evropian dhe iniciativat për të rinjtë.
Në program mund të marrin pjesë edhe të rinjtë nga vendet jashtë BE-së që janë pjesë e programit Erasmus+, ku përfshihet edhe Maqedonia e Veriut. Kandidatët e përzgjedhur do të marrin bileta që mundësojnë udhëtim me tren deri në shtatë ditë, brenda një periudhe prej një muaji, ndërsa udhëtimet mund të realizohen nga 1 marsi 2027 deri më 31 maj 2028.
Iniciativa DiscoverEU është pjesë e Erasmus+ dhe u lançua në vitin 2018 me synimin që të rinjtë të kenë mundësi të udhëtojnë nëpër Evropë, të njohin kulturën, historinë dhe diversitetin e saj, si dhe të krijojnë kontakte me të rinj nga vende të ndryshme. Sipas Bashkimit Evropian, nga viti 2027 pritet që edhe Mbretëria e Bashkuar t’i bashkohet programit.
Deri tani, rreth 473 mijë të rinj kanë përfituar bileta falas për udhëtime në kuadër të DiscoverEU, ndërsa seri të reja biletash ndahen dy herë në vit.






