Veton Surroi: Aktgjykimi i Hagës mund të ndryshohet vetëm në Apel, zhbërja e Speciales nuk ndihmon

Advertisement

Publicisti Veton Surroi ka paraqitur nëntë konstatime pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ato synojnë të shërbejnë si bazë për një qasje të përbashkët politike dhe institucionale ndaj situatës në Kosovë.

Surroi ka theksuar se aktgjykimi nuk është ende i formës së prerë dhe se përgjegjësia e trajtuar në të është individuale. Sipas tij, dënimi i individëve nuk e ndryshon karakterin e luftës së UÇK-së.

Ai ka paralajmëruar se vendimi e gjen Kosovën në një krizë të zgjatur politike dhe se publikimi i plotë i aktgjykimit mund ta rrisë polarizimin, nëse nuk arrihet një interpretim i përbashkët i tij.

Sipas Surroit, ekziston rreziku që përgjegjësia individuale të bartet te UÇK-ja dhe te Kosova në tërësi, duke u afruar kështu me narrativat e kundërshtarëve të Kosovës.

“Një pjesë e debatit ia bart këtë përgjegjësi UÇK-së dhe Kosovës si tërësi, diçka që ka qenë pjesë e ligjërimit të kundërshtarëve të Kosovës gjatë tridhjetë vjetëve të fundit”, ka shkruar ai.

Surroi ka theksuar se ndryshimi i aktgjykimit mund të kërkohet vetëm përmes procedurave të Apelit të përcaktuara nga sistemi i Dhomave të Specializuara. Ai ka paralajmëruar se idetë për zgjidhje politike ose jashtë kuadrit ligjor mund të krijojnë pritje të pabazuara.

Publicisti është shprehur gjithashtu kundër idesë për zhbërjen e njëanshme të Dhomave të Specializuara, duke argumentuar se një veprim i tillë, sipas tij, nuk do të siguronte një mjet juridik për rrëzimin e aktgjykimit apo për përmirësimin e pozitës së të dënuarve në Apel.

Në analizën e tij, Surroi vlerëson se Dhomat e Specializuara kanë bazë ligjore dhe kushtetuese, por pretendon se ato nuk gëzojnë legjitimitet të gjerë shoqëror në Kosovë. Ai e lidh këtë edhe me mënyrën e krijimit të tyre dhe me raportin e Dick Martyt.

Një tjetër çështje e ngritur prej tij është mundësia e qasjes në sistemin evropian të të drejtave të njeriut. Surroi thekson se të dënuarit nuk mund ta adresojnë çështjen e tyre te Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut përmes Kosovës, pasi Kosova nuk është palë e Konventës Evropiane.

“Katër qytetarët evropianë, duke qenë qytetarë të Kosovës, janë të diskriminuar”, ka shkruar Surroi.

Ai ka ngritur edhe çështjen e mandatit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se mandati vazhdon pa një datë të përcaktuar për përfundimin e tij dhe pa një mekanizëm të përbashkët parlamentar për mbikëqyrjen e përmbushjes së obligimeve dhe kushteve për përfundimin e mandatit.

Në përfundim, Surroi ka vlerësuar se Kosova ka treguar, sipas tij, “pjekuri të veçantë institucionale” në raport me Dhomat e Specializuara, por se kjo nuk është reflektuar në pozitën evropiane të vendit.

“Marrëdhënia me Bashkimin Evropian ka mbetur kryesisht e njëkahshme: Kosovës i janë kërkuar obligime të jashtëzakonshme, pa iu njohur përparim përkatës në statusin e saj evropian”, ka shkruar ai.

Surroi ka bërë të ditur se pas këtyre nëntë konstatimeve do të paraqesë edhe një propozim për një platformë të përbashkët veprimi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit