Përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë vlerësojnë se ndryshimi i Kodit Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut është i nevojshëm. Edhe pse tashmë janë ndërmarrë hapa për miratimin e ndryshimeve, procesi vijon të jetë në fazën e negociatave mes subjekteve politike.
Politologu Qani Nuhiu, në një deklaratë për TVM-2, tha se ndryshimet duhet të realizohen sa më shpejt, duke vlerësuar se legjislacioni aktual zgjedhor ka nevojë për përshtatje me zhvillimet e reja.
Sipas tij, për një reformë të qëndrueshme është i nevojshëm një konsensus sa më i gjerë politik, në mënyrë që ndryshimet të kenë mbështetje dhe legjitimitet më të madh.
Nuhiu theksoi gjithashtu se, përveç nevojave të brendshme, procesi lidhet edhe me rekomandimet dhe pritjet e faktorit ndërkombëtar.
Ai vlerëson se Kodi Zgjedhor, i miratuar në vitin 2002, është ndryshuar më shumë se 30 herë, çka sipas tij tregon nevojën për një rishikim më të plotë dhe krijimin e një kuadri më të qartë dhe të zbatueshëm.
“Është momenti që sistemi zgjedhor, konkretisht Kodi Zgjedhor, të pësojë transformimet e nevojshme për të cilat do të arrihet marrëveshja. Idealisht, do të ishte mirë që të përfshihen të gjitha partitë politike, ose një shumicë dërrmuese që do të pajtohej”, deklaroi Nuhiu.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe Kodin Penal janë pjesë e detyrimeve që lidhen me Agjendën Reformuese. Përmbushja e tyre lidhet edhe me fondet e parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, përfshirë shumën prej 4.28 milionë eurosh të lidhur me këtë reformë.






