Tragjedi në Slloveni: Fëmija bie në humnerë, babai humb jetën duke shkuar drejt tij

Advertisement

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pranë ujëvarës Savica në Bohinj të Sllovenisë, ku një djalë shtatëvjeçar ka rënë në një humnerë, ndërsa babai i tij 44-vjeçar, pasi dëgjoi britmat e të birit, ka shkuar drejt tij dhe gjithashtu ka rënë.

Sipas policisë sllovene, familja me katër anëtarë ishte nga një shtet i huaj dhe po vizitonte ujëvarën Savica. Deri tani nuk është bërë e ditur se nga cili shtet është familja.

Ngjarja ndodhi gjatë kthimit nga ujëvara, kur familja u ndal pranë një zone pushimi me tavolinë dhe stola. Në një moment, shtatëvjeçari u largua nga pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët më pas dëgjuan britmat e tij.

Babai shkoi drejt vendit nga vinin britmat, por gjatë rrugës ra në humnerë. Shpëtimtarët i gjetën të dy në shtratin e lumit Savica.

44-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve, ndërsa djali, i cili kishte pësuar lëndime të rënda, u transportua me helikopter në Qendrën Klinike Universitare në Lubjanë. Deri tani nuk ka informacione të reja zyrtare për gjendjen e tij shëndetësore.

Shërbimi i Shpëtimit Malor në Bohinj bëri të ditur se ekipet e tyre ndodheshin në një stërvitje pranë vendit të ngjarjes dhe mundën të niseshin pothuajse menjëherë pas marrjes së njoftimit.

Shpëtimtarët zbritën drejt shtratit të lumit, i cili ndodhej rreth 60 metra më poshtë. Ata e përgatitën fëmijën për transport me helikopter, ndërsa trupi i babait u nxor nga terreni i vështirë me ndihmën e litarëve.

Policia po vazhdon mbledhjen e informacionit për të gjitha rrethanat e aksidentit.

Shërbimi i Shpëtimit Malor në Bohinj theksoi se aksidentet në zonat malore rrallë ndodhin si pasojë e vetëm një gabimi, por zakonisht janë rezultat i një sërë rrethanash dhe vendimesh që bashkohen në një moment.

Shpëtimtarët kanë shprehur shpresën që djali të shërohet sa më shpejt dhe sa më mirë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit