SHBA-ja lëshon alarm të fortë për Lindjen e Mesme: “Konflikti mund të përshkallëzohet shpejt”

Advertisement

Misionet diplomatike të SHBA-së në Izrael dhe në Lindjen e Mesme kanë ngritur alarmin e sigurisë për qytetarët amerikanë në rajon, në mes të tensioneve në rritje dhe frikës për një përshkallëzim të shpejtë të konfliktit.

Ambasada amerikane në Izrael ka paralajmëruar se Irani dhe grupet e mbështetura prej tij, përfshirë Huthitët, mund të synojnë misionet diplomatike, kompanitë dhe institucionet amerikane në rajon dhe më gjerë.

Qytetarëve amerikanë u është kërkuar të tregojnë vigjilencë të shtuar dhe të përgatiten për ndërprerje të mundshme të fluturimeve apo mbyllje të hapësirës ajrore. Gjithashtu, u është rekomanduar të kenë rezerva ushqimore dhe ujë, si dhe të përdorin aplikacione për njoftime në kohë reale.

Në këtë situatë, presidenti amerikan Donald Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë një ditë më herët se sa ishte planifikuar, pasi kishte udhëtuar drejt Camp David në Maryland.

Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar se konflikti ushtarak “ka potencialin për përshkallëzim të shpejtë”, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë në Lindjen e Mesme të ruajnë vigjilencën maksimale dhe të përgatiten për pengesa të mundshme në udhëtime.

Ndërkohë, Huthitët e Jemenit kanë deklaruar se kanë kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave që i kanë cilësuar si “të ndjeshme” në Riad të Arabisë Saudite.

Sulmet u raportuan disa orë pasi pranë aeroportit kryesor të Riadit u panë flakë dhe një re e madhe tymi. Autoritetet saudite kishin lëshuar më herët paralajmërime për rrezik të mundshëm në zonë.

Huthitët nuk kanë bërë të ditur objektivin konkret në Riad, por kanë pretenduar gjithashtu se kanë goditur një strukturë të kompanisë Aramco në Yanbu, në bregun e Detit të Kuq, një nga qendrat kryesore të eksportit të naftës së Arabisë Saudite.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit