Teleferiku i Vodnos në Shkup pritet të rikthehet në funksion deri në fund të nëntorit, pas një rikonstruksioni të plotë dhe ndërhyrjeve për rritjen e sigurisë së sistemit.
Sipas autoriteteve të qytetit, një ekspertizë e kryer nga kompania austriake „Doppelmayr“, e cila ka realizuar sistemin, ka evidentuar probleme në disa komponentë të rëndësishëm.
Gjatë kontrollit janë konstatuar dëmtime në kabllot mbajtëse dhe tërheqëse, si dhe probleme me tre nga katër sensorët e sigurisë për lëvizjen e kabinave. Për këtë arsye, teleferiku është nxjerrë jashtë funksionit deri në përfundimin e ndërhyrjeve.
Rikonstruksioni do të realizohet nga „Doppelmayr“, ndërsa parashikohet edhe furnizimi me pjesë origjinale dhe trajnimi shtesë i punonjësve që kujdesen për mirëmbajtjen e sistemit.
Pas përfundimit të punimeve do të zhvillohen testime të detajuara dhe teleferiku do të rikthehet në përdorim vetëm pasi të përfundojnë kontrollet dhe të merret certifikata për sigurinë.
Afati i parashikuar për përfundimin e rikonstruksionit është fundi i nëntorit. Funksionimi i teleferikut do të varet edhe nga kushtet atmosferike, veçanërisht nga shpejtësia e erës.






