Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, së bashku me familjarë, bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë, ka përkujtuar me homazhe dëshmorin e kombit, Beqir Limani, në 28-vjetorin e rënies së tij.
Ahmeti ka vlerësuar kontributin e Limanit në çështjen kombëtare, duke e përshkruar atë si veprimtar të hershëm, njeri të qëndresës dhe sakrificës, i cili, sipas tij, jetën ia kushtoi idealit të lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
“Beqiri ishte veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, tribun i vegjëlisë, njeri i qëndresës dhe i sakrificës”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka theksuar se, edhe 28 vjet pas rënies, kujtimi për Beqir Limanin mbetet i gjallë, ndërsa vepra dhe sakrifica e tij vazhdojnë të kujtohen si pjesë e historisë kombëtare.
“Lavdi e përjetshme Beqir Limanit! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar Ahmeti.






