Shkupi përgatitet për 100 autobusët elektrikë, nisin punimet për infrastrukturën

Advertisement

Qyteti i Shkupit ka nisur përgatitjet për pranim-dorëzimin e 100 autobusëve të rinj elektrikë, ndërsa paralelisht po punohet për itineraret, instalimin e stacioneve të karikimit dhe rritjen e kapacitetit elektrik në bazën e autobusëve në Autokomandë.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, tha se përgatitjet po zhvillohen në përputhje me afatet e prodhimit dhe dorëzimit të autobusëve, me qëllim që ata të mund të hyjnë në qarkullim menjëherë pas mbërritjes.

Një nga ndërhyrjet kryesore është në Autokomandë, ku duhet të sigurohet furnizim më i madh me energji elektrike dhe kapacitet i mjaftueshëm për karikimin e autobusëve.

Gjorgjievski hodhi poshtë pretendimet se autobusët tashmë janë prodhuar dhe se qyteti ka mbetur prapa me përgatitjet infrastrukturore.

“Ekziston një afat për dorëzim. Autobusët nuk mund të jenë gati menjëherë pasi të përfundojë prokurimi publik”, deklaroi ai, duke theksuar se përgatitja e infrastrukturës zhvillohet paralelisht me prodhimin.

Në kuadër të prokurimit të Ministrisë së Transportit parashikohet furnizimi me 150 autobusë elektrikë dhe 75 stacione karikimi. Nga numri total, 100 autobusë janë paraparë për Shkupin, ndërsa 50 për komunat e tjera.

Pas anulimit të tenderit të parë në maj, procedura u përsërit. Në tenderin e ri, oferta më e ulët, në vlerë prej rreth 3,12 miliardë denarësh pa TVSH, u dorëzua në korrik nga kompania hungareze “IKARUS Electric” dhe EVN.

Dorëzimi i autobusëve është planifikuar në tri faza: 30 autobusë brenda gjashtë muajve, 60 brenda 12 muajve dhe 60 të tjerë brenda 18 muajve. Për Shkupin, ende nuk është bërë publike ndarja e saktë e autobusëve sipas fazave.

Flota e re elektrike është pjesë e planeve për modernizimin e transportit publik në Shkup, krahas projekteve për BRT dhe trenin e qytetit. Gjorgjievski ka njoftuar më herët se punimet në terren për BRT-në pritet të nisin në vitin 2027.

Sfida kryesore mbetet përfundimi me kohë i infrastrukturës së nevojshme, përfshirë karikuesit, furnizimin me energji dhe depot, në mënyrë që autobusët e parë të mund të hyjnë në qarkullim sapo të dorëzohen.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit